VLEN: Fuqia jonë në qeveri sjell zgjidhje për ndotjen mjedisore
Si rezultat i angazhimit të pandërprerë dhe qasjes proaktive në qeverisje, koalicioni VLEN ka arritur një sukses të rëndësishëm në kuadër të partneriteteve ndërkombëtare strategjike, përcjell Flaka. Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të nënshkrimit të Marrëveshjes për Partneritet Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Britanisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, ka siguruar mbështetje të drejtpërdrejtë për zgjidhjen e problemeve mjedisore që godasin zonat me shumicë shqiptare.
Në fokus të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar është eliminimi i deponive me mbetje të rrezikshme dhe pastrimi i ndotjes së rëndë industriale në vendbanime si Vaksinca, Llojani dhe Jegunoci – zona që për vite me radhë kanë qenë të injoruara nga politikat shtetërore, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e banorëve dhe mjedisin natyror.
VLEN e konsideron këtë përfshirje në agjendën britaniko-maqedonase si një arritje historike dhe dëshmi të përkushtimit të saj për zhvillim të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Për herë të parë, çështje që prekin drejtpërdrejt komunitetet shqiptare janë pjesë e projekteve strategjike të shtetit në partneritet me një shtet të fuqishëm si Britania e Madhe. Kjo nuk është vetëm fitore politike, por garanci për një jetë më të shëndetshme dhe dinjitoze për qytetarët tanë”, thuhet në reagimin e VLEN.
Koalicioni thekson se do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri interesat e qytetarëve shqiptarë në çdo nivel institucional dhe ndërkombëtar, duke promovuar politika që garantojnë drejtësi mjedisore dhe barazi zhvillimore në të gjithë territorin e vendit.