Arben Fetai: Ali Ahmeti nuk do t’ia falë 6 komuna Arben Taravarit dhe rrethit të tij të ngushtë
Zëvendëskryeministri Arben Fetai, në një prononcim për mediat, ka komentuar zhvillimet e fundit politike brenda koalicionit opozitar VLEN dhe raportet ndërmjet liderëve të tij, duke theksuar se Ali Ahmeti nuk do të tolerojë që Arben Taravari dhe rrethi i tij i ngushtë të përfitojnë komuna përmes marrëveshjeve të fshehta, sjell Flaka
Sipas Fetait, Aleanca për Shqiptarët nuk është larguar nga VLEN, por janë disa individë të cilët kanë dezertuar për qëllime personale dhe kalkulime pushtetore.
“Kanë dezertuar disa njerëz që janë grup i vogël që e rrethojnë kryetarin Taravari për arsye të pazarave për komunat,” – deklaroi Fetai.
Ai shtoi se ekzistojnë të dhëna konkrete për marrëveshje të mundshme që përfshijnë komuna dhe kandidatë të caktuar, të cilët – sipas tij – janë përfolur edhe në qarqet mediatike si pjesë e një marrëveshjeje të fshehtë ndërmjet Taravarit dhe Ali Ahmetit.
“Mund të flasim me emër, me komuna konkrete dhe t’i radhisim një nga një ata njerëz… Ali Ahmeti i ka thënë Arben Taravarit që do t’ia falë.”
Megjithatë, Fetai thekson se mobilizimi i strukturës së ASH-së, që kundërshtoi këtë qasje, e ka dështuar planin dhe ka hedhur poshtë të gjitha marrëveshjet e mundshme të prapaskenës:
“Me këtë dështim, me këtë fiasko që e pësuan për shkak të mobilizimit të hatashëm të strukturës së ASH-së, marrëveshja ka rënë në ujë.”
Në përfundim, ai u shpreh i bindur se Ali Ahmeti nuk do t’ia falë gjashtë komunat që ishin pjesë e përfolur e pazarit, duke lënë të kuptohet për thellim të ndarjeve politike dhe përplasje të reja në horizontin opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Deklarata e Fetait vjen në një moment të ndjeshëm për koalicionin VLEN, ndërsa skena politike shqiptare në vend po përgatitet për zgjedhjet lokale që pritet të jenë vendimtare për balancat e reja të fuqisë. Flaka