Ibrahimi akuzon Ahmetin se e përçau Lëvizjen Besa, por protagonistë ishin ai dhe Afrim Gashi!

Flaka
Botuar nga Flaka 28 Maj, 2025 11:52

Ibrahimi akuzon Ahmetin se e përçau Lëvizjen Besa, por protagonistë ishin ai dhe Afrim Gashi!

Sot, lideri Alternativës, Zeqirja Ibrahimi akuzoi direkt liderin e BDI-së, Ali Ahemti për përçarjen e Lëvizjes Besa në vitin 2018, kur ai ishte nënkryetar i kësaj partie dhe protagonist i frakcionit që çoi në formimin e partisë së re, Alternativa, shkruan Flaka. Dr.Zeqirija Ibrahimi akuzon Ahmeti duke i rikujtuar parimin e “përçaj dhe sundo”.

“Politika që suksesin e vet e projekton në përçarjen e partive të tjera. Më 2018 këtë sulm e pësoi Besa, më 2022 edhe AlternAtivA, ndërsa më 2024 dhe 2025 këtë po e vuan Aleanca për Shqiptarët“, thotë Ibrahimi.

Parashtrohet pyetja përmes kujt e përçau Ali Ahmeti Lëvizjen Besa. Përmes Afrim Gashit që u bë lider i fraksionit, Zeqirja Ibrahimit që aktualisht drejton Alternativën apo Bilall Kasamit që ngeli në Lëvizjen Besa dhe vazhdon të jetë lider i kësaj partie. Lind pyetja se kush ka qenë dora e zezë e Ali Ahmetit në përqarjen e Lëvizjes Besa?

Si ndodhi përçarja e Lëvizjes Besa?

Në janar 2018, Lëvizja Besa u gjend përballë një krize të brendshme që lidhej me rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe me mënyrën se si duhej menaxhuar drejtimi i partisë pas humbjeve elektorale. Sipas procesverbalit të mbledhjes së Këshillit Qendror të datës 6 janar 2018, në këtë mbledhje morën pjesë 64 nga 108 anëtarë të këshillit (duke përfshirë tre deputetët e Besës, nënkryetarët dhe sekretarin e përgjithshëm). Tema kryesore e diskutimit ishte “përgjegjësia për bllokimin dymujor të organeve qendrore të partisë” dhe “shkelja e statutit nga kryetari aktual”. Si rezultat i kësaj mbledhjeje, me votë unanime, u vendos shkarkimi i Bilall Kasamit nga detyra e kryetarit të partisë. Në mesin e atyre që mbështetën këtë vendim ishin edhe nënkryetari Dr. Zeqirja Ibrahimi dhe Afrim Gashi, i cili më pas do të quhej lideri i fraksionit brenda Besës.

Bilall Kasami, menjëherë pas këtij vendimi, reagoi duke e cilësuar atë si “vendim ilegal” dhe “jashtë statutit të partisë”. Ai deklaroi se “shkarkimi im është i pavlefshëm” dhe se hyrja në selinë qendrore ishte bërë në mënyrë të paligjshme, ndërsa faqet zyrtare në Facebook ishin “thyer” nga mbështetësit e Grupit Fraksionist.

Ky moment konsiderohet pika kulmore që do të ngrejë zyrtarisht ndarjen e Besës dhe do të hapë rrugën për themelimin e Alternativës, e kryesuar nga Afrim Gashi (si lider i fraksionit) dhe Dr. Zeqirja Ibrahimi (si nënkryetar brenda grupit).

Përveç Afrim Gashit e Zeqirja Ibrahimit, një numër anëtarësh të zgjedhur të Këshillit Qendror, që mbanin besë ndaj ideve të “përbashkëta” me krahun që kërkonte largimin e Bilall Kasamit, morën pjesë në votën pro. Këto dy figura kyçe, mblodhi një grup mbështetësish brenda Këshillit Qendror, duke i bindur të tjerë anëtarë të mos propozonin alternativë tjetër përveç shkarkimit të Bilall Kasamit.

Megjithatë, për shkak të presionit të madh mediatik dhe politik, si dhe mungesës së mekanizmave praktikë për të mbrojtur veprimet e tij, Kasami nuk arriti të mblidhte grupin e anëtarëve të mjaftueshëm për të riformuar Këshillin Qendror sipas versionit që prej tij njihej si “legjitim”. Kështu, fraksioni i krijuar vazhdoi rrugën e pavarësisë, duke marrë emrin “Alternativa”, nën drejtimin e Afrim Gashit dhe me koordinimin e Zeqirja Ibrahimit.

Pas vendimit për shkarkimin e Bilall Kasamit, filloi një sërë njoftimesh e artikujsh në portale të afërta me BDI-në, ku theksohej se “një Besa e re” (nën drejtimin e Afrim Gashit dhe Zeqirja Ibrahimit) do të ishte “më e bashkëpunuese” dhe “më afër interesave kombëtare shqiptare”. 

Afrim Gashi dhe Zeqirja Ibrahimi u pozicionuan si akterë kryesorë, të gatshëm të marrin drejtimin e një subjekti të ri. Pas këtyre zhvillimeve, më 2018 Alternativa u regjistrua si subjekt i ri politik, me Afrim Gashin si kryetar dhe Zeqirja Ibrahimin si nënkryetar për çështjet politike. 

Bilanci i këtij skenari ka qenë fragmentimi i shumicës dhe shkatërrimi (përkohshëm) i asaj që dikur quhej “besa unike” shqiptare në arenën politike të Maqedonisë së Veriut.

Aktualisht Lëvizja Besa dhe Alternativa janë bashkë në qeveri e VLEN, dhe shtohen zërat që VLEN do të shndërrohet në një parti politike. Flaka Media





Flaka
Botuar nga Flaka 28 Maj, 2025 11:52
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media