Pazaret politike të natës dalin në shesh – ASH komenton emërimet e fundit në qeveri
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas emërimeve të fundit në Qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni VLEN, duke i cilësuar këto zhvillime si rezultat i “pazareve të natës”, shantazheve, joshjes dhe kompromiseve politike, njofton Flaka
Në një kumtesë për media, ASH komenton emërimin e ish-deputetit Salim Sulejmani si i dërguar special në Arabinë Saudite, duke e quajtur këtë një “nënçmim të drejtpërdrejtë” dhe dëshmi e qartë e një pazari politik, që sipas tyre, erdhi pas dorëzimit të mandatit të tij si deputet.
ASH gjithashtu e konsideron emërimin e Azir Aliut në postin e Ministrit të Shëndetësisë si një tjetër formë të “blerjes së heshtjes” dhe “tradhti ndaj qytetarëve shqiptarë”.
Në kumtesë, theksohet se “grupi i Arben Fetait është shndërruar në instrument të qeverisë, i joshur me privilegje dhe kolltukë, me misionin për të dëmtuar Aleancën për Shqiptarët dhe për të tradhtuar interesat kombëtare”.
“Ata po izolohen çdo ditë nga qytetari shqiptar, i cili tashmë i dallon qartë idealet tona të pastra nga interesat personale të komplotistëve”, thuhet në reagimin e ASH-së, duke shtuar se “VLEN dhe krahu i shkëputur i ASH-së janë pjesë e një qeverie antishqiptare”.
Partia thekson se do të vazhdojë të qëndrojë përkrah qytetarëve dhe nuk do të bëjë pazare politike në dëm të interesit kombëtar.
“Ne jemi në rrugën e drejtë dhe nuk e shesim vullnetin e qytetarëve për poste e privilegje”, përmbyllet kumtesa e Aleancës për Shqiptarët. Flala