Dramë në Shkup: Arsovska dhe Ganiu “betejë” për mbetjet urbane dhe ndërtimet ilegale | VIDEO
Një ngjarje e pazakontë ndodhi sot në Shkup, ku kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, së bashku me qytetarë të kësaj komune, mbushën një kamion me mbeturina dhe u drejtuan për në ndërtesën e Qytetit të Shkupit. Sapo arritën atje, mbeturinat e grumbulluara në Çair i hodhën përpara hyrjes së institucionit, në shenjë proteste për gjendjen me mbeturinat në komunë, njofton Flaka.
Ganiu u prononcua për mediat në vendngjarje, duke theksuar se banorët e Çairit janë taksapagues të rregullt, por ndihen të braktisur nga autoritetet qendrore, njësoj si në kohën e komunizmit.
Pak minuta më pas, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, doli për të takuar Ganiun, por ai ishte larguar tashmë. Arsovska akuzoi Komunën e Çairit për borxhe të pashlyera ndaj Ndërmarrjes Publike Higjiena, që sipas saj arrijnë në 7 milionë euro. Ajo i kërkoi publikisht Ganiut që të shlyejë borxhin dhe rikujtoi problemin e legalizimeve të paligjshme në këtë komunë.
“Do të shkoj vetë nesër në Çair për ta takuar dhe për të diskutuar këtë çështje,” deklaroi Arsovska.
Pas hedhjes së mbeturinave, policia ndaloi shoferin e kamionit dhe i konfiskoi dokumentet për procedura të mëtejshme ligjore.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta dhe ka rikthyer në vëmendje tensionet mes pushtetit lokal dhe qendror të Shkupit, për menaxhimin e mbeturinave dhe çështjet e urbanizimit. Flaka Media