Marrëveshja strategjike Maqedoni e Veriut – Mbretëri e Bashkuar, Mickoski: Jo borxh, por zhvillim
Kryeministri Hristijan Mickoski, në seancën e fundit parlamentare për pyetje deputetësh, e përshkroi marrëveshjen strategjike të arritur me Mbretërinë e Bashkuar si një moment historik, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për të gjithë rajonin. Ai theksoi rëndësinë e pranisë së një fuqie globale si Mbretëria e Bashkuar në Ballkan dhe ndikimin e saj të mundshëm në zhvillimet politike dhe ekonomike.
Dy shtylla: Politike dhe ekonomike
Mickoski e ndau marrëveshjen në dy pjesë – atë politike, që garanton partneritet strategjik, dhe atë ekonomike, që synon të zhbllokojë dekada ngecjeje në realizimin e projekteve madhore infrastrukturore.
“Hekurudha e Koridorit 10, autostradat, spitalet, Çebreni dhe Galishta – projekte që i përmendim prej vitesh, tani më në fund kanë një dritë jeshile,” deklaroi Mickoski, duke theksuar se tani janë siguruar financa në një kornizë prej 6 miliardë euro dhe se marrëveshja kaloi në Kuvend pa keqpërdorime.
Transparencë dhe konkurrencë ndërkombëtare
Kryeministri hodhi poshtë akuzat e opozitës për mungesë transparence, duke deklaruar se të gjitha projektet do të kalojnë në dialog konkurrues me institucione financiare globale, për të përzgjedhur ofertën më të favorshme.
“Ne nuk do të pranojmë automatikisht ofertën e parë, qoftë nga BERZH, BEI apo bankë tjetër. Do të shkojmë aty ku është më e mira për vendin,” tha Mickoski.
Normat e interesit dhe vlerësimi kreditor
Një nga përfitimet kryesore të marrëveshjes, sipas tij, është përdorimi i rejtingut kreditor AAA të Mbretërisë së Bashkuar, çka mundëson norma më të ulëta interesi, ndryshe nga rejtingu aktual i RMV-së (BB-).
“Ky është dallimi mes 4% dhe normës më të ulët të mundshme. Ne do të përdorim besueshmërinë e një shteti lider në vend të vlerësimit tonë të dobët,” theksoi ai.
Prezantim publik dhe kontroll i rreptë
Mickoski garantoi se të gjitha kontratat do të jenë publike, pa klasifikime apo përdorime të flamurit evropian si në të kaluarën. Kompanitë përfitues do të jenë me portofol konkret pune, të përzgjedhura me transparencë dhe në bazë të parimit “Libër i Hapur”, ku çdo shpenzim do të jetë i detajuar.
Jo borxh, por zhvillim
Në përfundim, Mickoski mohoi akuzat se marrëveshja do të rëndojë mbi brezat e ardhshëm. “Jo vetëm që nuk do të rritet borxhi neto, por do të ulet, sepse do të realizohen projekte që gjenerojnë zhvillim dhe të ardhura,” tha ai, duke iu kundërpërgjigjur kritikëve që i quajti “analfabetë ekonomikë dhe politikë”.
Marrëveshja synon të shndërrohet në një platformë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe partneritet afatgjatë, ndërsa implementimi i saj do të varet nga faza e dytë – zgjedhja e financuesve dhe realizuesve për projektet konkrete.