Përplasja e dy narrativave politike në Maqedoninë e Veriut
Deklarata publike e këshilltarit të VMRO-DPMNE-së në Këshillin Komunal të Tetovës, Angel Karapetrov, ku pranon se e ka ndalur komisionin për ndryshimin e emrave të rrugëve në “mbrojtje të interesave kombëtare maqedonase”, është shumë më tepër sesa një qëndrim teknik në lidhje me politikat urbane. Është një deklarim i hapur politik se VMRO-DPMNE e kontrollon pa rezistencë realisht Komunën e Tetovës dhe administratën lokale të kryetarit Bilall Kasami.
Kjo ngjarje pasqyron përplasjen mes dy narativave politike dominuese në Maqedoninë e Veriut: ajo e VMRO-DPMNE-së, që lëviz në kornizat e nacionalizmit të kontrolluar maqedonas dhe ajo e partive shqiptare opozitare, që insistojnë në përfaqësim të barabartë dhe barazi reale, si Aleanca për Shqiptarët dhe Fronti Evropian.
Narativa e VMRO-DPMNE-së: Nacionalizëm pa komplekse
VMRO-DPMNE, siç shihet edhe në qëndrimin e këshilltarit Karapetrov, artikulon një narrativë të qartë:
- Emrat e rrugëve janë çështje të interesit kombëtar maqedonas.
- Çdo lëvizje që mund të shtojë prezencën shqiptare në hapësirat publike shihet si kërcënim.
- Koalicioni me partitë shqiptare si VLEN në nivel lokal dhe qendror nuk është aleancë e barabartë, por instrumentalizim për kontroll të pushtetit.
Në këtë kontekst, partnerët shqiptarë në qeverisjen lokale, në veçanti kryetari Bilall Kasami dhe koalicioni VLEN, nuk shihen si faktorë autonomë, por si pjesë të një administrate të nënshtruar që zbaton interesat e një pale.
Narativa e Aleancës për Shqiptarët dhe Frontit Evropian: Dinjitet dhe përfaqësim i vërtetë
Përballë kësaj qasjeje, Aleanca për Shqiptarët dhe Fronti Evropian artikulojnë një narrativë tjetër:
- Shqiptarët janë nënreprezentuar dhe të nëpërkëmbur, si në nivel lokal ashtu edhe qendror.
- Dalja e ASH-së nga qeveria qendrore ishte pikërisht për shkak të marginalizimit të interesave të shqiptarëve.
- Tetova, një qytet me mbi 60% shqiptarë, nuk mund të qeveriset me standarde të vendosura nga një parti si VMRO-DPMNE që hapur shpreh tone kundër identitetit dhe simboleve shqiptare.
- Beteja për emrat e rrugëve është simbol i betejës për identitet dhe barazi.
Tetova – qytet i shqiptarëve apo nën kontroll të VMRO-së?
Deklarata e këshilltarit të VMRO-DPMNE-së, Angel Karapetrov, ku hapur pranon se ndaloi punën e komisionit për emërtimin e rrugëve “në mbrojtje të interesave maqedonase”, është dëshmi e qartë se VMRO-DPMNE sot qeveris Tetovën pa maska, me bekimin e koalicionit VLEN dhe të kryetarit të Komunës, Bilall Kasami.
Ky nuk është më një spekulim politik – është fakt i dokumentuar: shqiptarët në Tetovë po udhëhiqen nga një qeverisje që i bindet urdhrave të një partie që hapur i kundërshton simbolet, identitetin dhe përfaqësimin shqiptar.
Bilall Kasami, që dikur premtonte ndryshim e zhvillim, sot është kthyer në një administrator të nënshtruar të një platforme politike që s’e pyet për interesin shqiptar, por që ia dikton edhe emrat e rrugëve. Ai nuk përfaqëson më vullnetin qytetar – përfaqëson marrëveshjen për pushtet me çdo çmim.
Le ta themi qartë:
Nuk është kjo betejë për emra rrugësh – është për dinjitetin tonë kolektiv.
Një qytet ku mbi 60% e popullsisë janë shqiptarë, nuk mund të qeveriset me urdhra nga ata që gjithmonë i kanë parë shqiptarët si rrezik, jo si partnerë.
Ironikisht, e njëjta VMRO që në Tetovë i bllokon rrugët me emra shqiptarë, në nivel qendror i diskriminon shqiptarët në mënyrë sistematike. Vetë lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, dha dorëheqje nga qeveria për shkak të nëpërkëmbjes së kauzës shqiptare. E njëjta gjë që po ndodh sot në Tetovë – ndryshe e maskuar, por me të njëjtën logjikë të nënshtrimit.
Tetova nuk është koloni. Tetova është zemra e identitetit tonë. Dhe nuk do të lejojmë që ajo të shndërrohet në laborator eksperimental të marrëveshjeve që i poshtërojnë shqiptarët në vendin e tyre.
Histori të këtilla nuk i fal koha. Aq më pak, vota
E ardhmja nuk do të ndërtohet me servilizëm, por me qëndrim. Dhe qëndrimi fillon sot.
A është Tetova në fakt koloni politike?
Bilall Kasami, që dikur paraqitej si shpresë për ndryshim lokal, sot perceptohet nga opozita si administrator i nënshtruar që zbaton urdhra nga VMRO-DPMNE, edhe kur këto urdhra cenojnë interesin dhe ndjenjën identitare të shqiptarëve në qytet.
Këto zhvillime ngrejnë pyetje të forta për kredibilitetin politik të koalicionit VLEN, i cili në nivel qendror bashkëqeveris me VMRO-në, por edhe në Tetovë vepron në përputhje me këtë linjë.
Kush qeveris realisht në Tetovë?
Kur një këshilltar i VMRO-së thotë hapur se ndalon një proces për të mbrojtur “interesin maqedonas”, kjo tregon më shumë se sa një mosmarrëveshje për tabela rrugësh. Tregon një asimetrikë të thellë të pushtetit. Tregon që shqiptarët nuk janë më zot të qytetit të tyre, as në nivel simbolik, as vendimmarrës.
Nëse vazhdon ky trend, Tetova rrezikon të shndërrohet nga qendër e kulturës dhe rezistencës shqiptare, në simbol të nënshtrimit dhe manipulimit politik. Dhe siç tha dikur dikush: historia nuk i fal tradhtarët që e shesin qytetin për një çerek pushteti.
VMRO-DPMNE ofron 30-40% pushtet për partitë shqiptare në këmbim të përkrahjes lokale
VMRO-DPMNE, në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit, po kalkulon që partnerët shqiptarë të koalicionit të mundshëm të kenë një hise prej 30 deri në 40 për qind në qeverisjen lokale, varësisht nga numri i komunave ku kjo parti do të garantojë fitoren.
Ky pozicionim tregon qartë se përkrahja e VMRO-së nuk do të jetë pa kushte dhe se çdo parti shqiptare që synon mbështetjen e saj, do të përballet me një logjikë të qartë të pazarit politik për ndarje pushteti, me theks në ruajtjen e dominimit të agjendës maqedonase. Flaka Media