Selimi jep dorëheqje nga detyra si zëvendësdrejtoreshë në Byronë për Zhvillime të Arsimit: Tetori, afër!
Shpresa Selimi ka njoftuar sot publikisht përfundimin e mandatit të saj si zëvendësdrejtoreshë në Byronë për Zhvillime të Arsimit. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Selimi shprehet se kjo detyrë ka qenë një përvojë profesionale me përgjegjësi të lartë dhe sfida të shumta, por njëkohësisht me vlera të çmuara.
“Jam thellësisht krenare që këtë periudhë e përmbyll me ndërgjegje të qetë, pa u luhatur asnjëherë nga vlerat dhe parimet që më udhëhoqën në këtë rrugëtim,” shkruan ajo.
Në deklaratën e saj, Selimi lëshon edhe akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë, duke thënë se ndikimi politik ka depërtuar thellë në sistemin arsimor, përmes ndërhyrjeve të njëanshme që synojnë formësimin ideologjik të brezave të rinj. Ajo thekson se vendimi për të mos vazhduar më tej ishte një zgjedhje për dinjitet dhe qëndrim të drejtë, përballë asaj që e cilëson si “nënshtrim dhe turp”.
Në fund të reagimit të saj, Selimi falënderon liderin e Aleancës për Shqiptarët – ASH, z. Arben Taravari, për mbështetjen dhe besimin, duke e përshkruar atë si një model politik që nuk negocion me parimet. Ajo e mbyll me një mesazh të qartë politik: “Tetori është shumë afër!”