Maqedonia përballet me plakje të shpejtë të popullsisë: Humbim mbi 8,000 persona në vit
Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë të thellë demografike, sipas një studimi të fundit të publikuar nga Agjencia Informative Maqedonase (MIA). Vendi ka hyrë në një fazë të avancuar të pleqërisë demografike, me një tranzicion ku norma e vdekshmërisë tashmë e tejkalon atë të lindjeve.
Sipas të dhënave, Maqedonia humbet mesatarisht mbi 8,000 persona në vit për shkak të rënies së rritjes natyrore. Kjo tendencë negative pritet të vazhdojë edhe në dekadat e ardhshme. Strategjia për të moshuarit 2010-2020 parashikonte që deri në vitin 2050, çdo i pesti qytetar do të jetë mbi 60 vjeç, ndërsa në vitin 2150, kjo përqindje mund të arrijë deri në një të tretën e popullsisë.
Ekspertët theksojnë se një nga mënyrat për të ndalur këtë përkeqësim është përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përmbushja e standardeve evropiane do të përmirësonte cilësinë e jetesës në vend dhe mund të ndikojë në uljen e emigracionit, por edhe në kthimin e një pjese të diasporës maqedonase në vendlindje.
Plakja e popullsisë jo vetëm që krijon presion mbi sistemet e kujdesit shëndetësor dhe pensioneve, por edhe ndikon në mungesën e fuqisë punëtore dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.