Mickoski: Po sigurojmë zgjidhje për pagat e prapambetura në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve

Flaka
Botuar nga Flaka 31 Maj, 2025 23:09

Mickoski: Po sigurojmë zgjidhje për pagat e prapambetura në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kristijan Mickoski, ka njoftuar se së bashku me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, kanë zhvilluar një takim me drejtorin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, si dhe me disa nga të punësuarit në këtë institucion, për të gjetur zgjidhje për problemin e pagave të prapambetura.

Punonjësit e Inspektoratit nuk kanë marrë pagë për pesë muaj rresht, dhe Qeveria ka ndërmarrë hapa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Si rezultat i dialogut konstruktiv dhe angazhimit të Qeverisë për të garantuar funksionalitet institucional dhe pagesë të drejtë, është vendosur që Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të kalojë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë.

Pasi të harmonizohet Ligji për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve me Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore – i cili tashmë ndodhet në procedurë parlamentare për më shumë se një muaj – të punësuarve do t’u mundësohet pagesa e rrogave.

“Kjo është një çështje që kalon përmes mekanizmit të Badenterit dhe presim që të gjitha partitë politike në Kuvend të tregojnë përgjegjësi, të sillen në mënyrë konstruktive dhe të mos bllokojnë procesin, pasi kjo ka të bëjë me ekzistencën e familjeve të të punësuarve”, deklaroi Kryeministri Mickoski.

Në vazhdim, do të formohet një grup pune i cili do të punojë në reorganizimin përfundimtar të Inspektoratit dhe përcaktimin e kompetencave të tij. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 31 Maj, 2025 23:09
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media