Blerim Bexheti: Mickoski nuk po mbron identitetin – ai po e minon shtetin!
Deklaratat e fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski nuk kanë asgjë të përbashkët me mbrojtjen e identitetit apo me patriotizmin, transmeton Flaka. Ato janë thirrje të rrezikshme, që nxisin urrejtje dhe i shërbejnë vetëm një qëllimi: përçarjes ndëretnike dhe bllokimit të të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Kështu u shpreh kryetari i Komunës së Sarajit, Blerim Bexheti, duke komentuar zhvillimet e fundit politike në vend.
“Mickoski nuk po e sulmon një ministër, ai po godet vetë konceptin e bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Me një gjuhë viktimizuese dhe frikësuese, ai po ndërton karrierën e tij politike mbi ndarjen dhe jo bashkimin e qytetarëve,” theksoi Bexheti.
Sipas tij, e gjithë kjo situatë bëhet edhe më e rrezikshme për shkak të heshtjes së partnerëve të tij shqiptarë nga koalicioni VLEN.
“VLEN, në vend se të mbrojë interesin dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë, ka zgjedhur rrugën e përulësisë politike. Duke mos reaguar ndaj gjuhës fyese dhe përçarëse të partnerit të tyre të koalicionit, ata po bëhen bashkëpërgjegjës në legjitimimin e një diskursi që rrezikon kohezionin social dhe orientimin euroatlantik të vendit,” deklaroi Bexheti.
Në fund, ai paralajmëroi se kjo nuk është udhëheqje politike, por “lojë me zjarrin e përçarjes” – dhe të gjithë ata që e nxisin këtë zjarr, me fjalë apo me heshtje, do të mbajnë përgjegjësi historike për pasojat.