Mickoski: Turizmi në rritje – 20% më shumë mysafirë dhe netë qëndrime në prill
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka shprehur kënaqësinë e tij për rritjen e ndjeshme të aktivitetit turistik në vend, duke u bazuar në të dhënat e fundit të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, transmeton Flaka. Në një deklaratë për mediat, ai tha se numri i mysafirëve dhe netë qëndrimeve është rritur me 20% gjatë prillit dhe në katërmujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur, sepse këto janë të dhëna me vlerë të lartë për sektorin e shërbimeve dhe hotelerisë. Jo vetëm që ka rritje të përgjithshme, por ka ndryshim edhe në strukturën e turistëve – tashmë kemi vizitorë nga Gjermania, Franca dhe vende të tjera,” deklaroi Mickoski.
Sipas tij, operatorët turistikë kanë planifikuar për vitin e ardhshëm të paktën 500 mijë netë qëndrime jashtë sezonit në Ohër, çka sipas kryeministrit është një sinjal pozitiv për zhvillimin turistik të vendit.
Duke kujtuar statistikat e vitit të kaluar, ku u regjistruan rreth 200 mijë turistë dhe 3.5 milion netë qëndrime, Mickoski tha se synimi për vitin 2025 është të arrihet shifra prej 4 milion netë qëndrime dhe 1.5 milion turistë.
“Parametrat e parë janë inkurajues. Veçanërisht më gëzon rritja prej afro 21% e mysafirëve të huaj në prill dhe gati 20% më shumë netë qëndrime nga ta. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në prodhimin e brendshëm bruto për tremujorin e dytë,” përfundoi Mickoski.
Rritja e interesimit për Maqedoninë e Veriut si destinacion turistik tregon potencialin në rritje të sektorit dhe nevojën për zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës dhe ofertës turistike në vend. Flaka Media