Osmani: Sulm i koordinuar ndaj ambasadorit shqiptar nga njerëzit e Mickoskit në Qeveri
Zëvendëskryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të fundit ndaj ambasadorit shqiptar në Shkup, duke i cilësuar ato si të koordinuara dhe të nxitura politikisht.
“Në momentin që ambasadori shqiptar filloi të flasë hapur për politikat antishqiptare të kësaj qeverie, nisi sulmi i koordinuar ndaj tij prej shqiptarëve të preferuar të Mickoskit në Qeveri”, ka deklaruar Osmani.
Sipas tij, reagimet ndaj ambasadorit nuk janë të rastësishme, por pjesë e një qasjeje selektive dhe të motivuar politikisht.
“Të njëjtët njerëz që nuk panë asnjë problem kur pranuan Stoilkoviqin si zëvendëskryeministër, një figurë që është zgjatim i Beogradit dhe Banja Llukës, sot e kanë problem një ambasador shqiptar që nuk hesht”, theksoi Osmani.
Ai e vendos këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë politik, duke përmendur edhe trajtimin e studentëve shqiptarë në diskursin publik.
“Dhe e gjithë kjo po ndodh ndërkohë që në skenën publike po zhvillohet poshtërimi i studentëve shqiptarë, përmes ‘leksioneve’ që u mbajnë ministrat e ZNAM-it po atyre shqiptarëve në Qeveri”, u shpreh ai.
Deklaratat e Osmanit vijnë në një kohë tensionesh të shtuara politike dhe përplasje të hapura mes përfaqësuesve shqiptarë në pushtet dhe opozitë, me ambasadorin shqiptar që së fundmi ka artikuluar publikisht qëndrime kritike ndaj politikave të Qeverisë. Gazeta Flaka


















