Pakistani lanson satelitin e dytë vendas EO-2 nga Kina
Pakistani ka lëshuar sot satelitin e tij të dytë vendas, të quajtur EO-2, nga Qendra Bregdetare e Lansimit në Yangjiang të Kinës, njoftoi agjencia hapësinore e vendit.
Sipas një deklarate të Komisionit të Kërkimeve Hapësinore dhe të Atmosferës së Sipërme (SUPARCO), sateliti do të ofrojë të dhëna të rëndësishme për planifikimin dhe menaxhimin e burimeve natyrore, mbështetjen e qeverisjes, menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe planifikimin strategjik.
EO-2 ishte një nga shtatë satelitët e vendosur në orbitën e planifikuar përmes raketës mbartëse Smart Dragon-3 (SD-3), e cila u lëshua nga deti pranë bregut të Yangjiangut, në provincën Guangdong të Kinës jugore, raportoi agjencia shtetërore kineze Xinhua.
Ky është një tjetër hap në bashkëpunimin hapësinor midis Pakistanit dhe Kinës. Në tetor të vitit të kaluar, Pakistani lëshoi satelitin e tij të parë hiperspektral HS-1 nga Qendra e Lansimit të Satelitëve në Jiuquan, në veriperëndim të Kinës.
Ndërkohë, javën e kaluar Pakistani përzgjodhi dy kandidatë për Programin e Fluturimeve Njerëzore Hapësinore, të cilët do të trajnohen në Qendrën e Astronautëve të Kinës. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në shkurt mes SUPARCO-s dhe Agjencisë Kineze të Fluturimeve Hapësinore me Pilot (CMSA), njëri prej tyre pritet t’i bashkohet një misioni në stacionin hapësinor Tiangong, të operuar nga Kina.
Lansimi i EO-2 konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve hapësinore të Pakistanit dhe në thellimin e partneritetit strategjik me Pekinin në sektorin e teknologjisë dhe eksplorimit hapësinor.


















