Se çka ndodhi në Kuvend, tregojnë nga Lëvizja Besa
Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa ka miratuar me shumicë votash shkarkimin e Kryesisë Qendrore të partisë, në kuadër të procesit për bashkimin e koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm politik.
Në njoftimin zyrtar thuhet se vendimi vjen “në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm”, ndërsa Kuvendi ka vlerësuar se duhet “të hapet rruga për strukturimin e VLEN-it”, duke e bazuar këtë hap në moratoriumin e aktiviteteve partiake nga subjektet përbërëse të koalicionit.
Kuvendi ka autorizuar kryetarin e partisë, Bilall Kasami, që të vijojë bisedimet për të ardhmen e VLEN-it. Sipas komunikatës, atij i është dhënë “mbështetje bashkimit në një subjekt të vetëm, me një zgjidhje që respekton parimin e drejtësisë dhe dëgjon zërin dhe vullnetin e votuesit të VLEN-it dhe gjithë shqiptarëve”.
Në mbledhje është diskutuar edhe puna e funksionarëve të Lëvizjes Besa në Qeveri. Sipas njoftimit, “kuvendarët e përkrahën konstatimin e kryetarit Kasami se Besa ka kapacitet për shumë më shumë punë sesa është bërë deri tani”.
Analiza e performancës së zyrtarëve do të vazhdojë në ditët në vijim dhe, siç theksohet, “konstatimet e gjetura do të reflektohen në rikonstruimin e ardhshëm të Qeverisë”.
Në fund, Lëvizja Besa nënvizon se pjesëmarrja në ekzekutiv nuk shihet si qëllim në vetvete. “Postet në Qeveri janë mjet për shërbimin tonë sa më të mirë dhe më efikas ndaj qytetarëve, veçanërisht shqiptarëve”, thuhet në reagim, duke shtuar se vendimet e ardhshme do të mbështeten pikërisht mbi këtë parim.
Ky zhvillim shënon një fazë të re brenda VLEN-it, në një moment kur po intensifikohen lëvizjet për konsolidimin e tij si një subjekt i vetëm politik.


















