Senati i Meksikës miraton reduktimin e javës së punës në 40 orë
Senati i Meksikës miratoi të mërkurën një propozim presidencial për reduktimin gradual të javës së punës nga 48 në 40 orë, duke hapur rrugën për një reformë të rëndësishme në tregun e punës të vendit.
Projektligji u miratua unanimisht në lexim të parë me 121 vota pro dhe tashmë i është dërguar Dhomës së Deputetëve për diskutim dhe miratim përfundimtar.
Pas vitesh debatesh në Kongres dhe në sektorin privat, iniciativa u prezantua zyrtarisht në dhjetor nga kryetarja e Parlamentit, Claudia Sheinbaum. Reforma parashikon një ulje graduale të orarit të punës me dy orë në vit deri në vitin 2030, duke prekur rreth 13.4 milionë punëtorë.
Megjithatë, projektligji ka hasur kritika nga opozita dhe disa sindikata, të cilat e konsiderojnë atë të zbutur dhe me boshllëqe ligjore që, sipas tyre, mund të mos sjellin një lehtësim real të barrës për punëtorët.
Nëse miratohet përfundimisht, reforma do të hyjë në fuqi më 1 maj, ndërsa reduktimi i parë prej dy orësh pritet të zbatohet nga janari 2027.
Sipas të dhënave të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Meksika ka numrin më të lartë të orëve të punës në vit midis 38 vendeve anëtare, me një mesatare prej 2,226 orësh për person. Megjithatë, vendi renditet ndër më të ultët për sa i përket produktivitetit dhe pagave, duke e bërë reformën një çështje kyçe për ekonominë dhe mirëqenien sociale.
Flaka


















