22-vjeçarja thyen rekordin botëror duke përqafuar një pemë për mbi 50 orë
Truphena Muthoni, 22-vjeçare, ka hyrë në histori duke fituar titullin për “maratonën më të gjatë të përqafimit të një peme”, duke thyer rekordin botëror të mëparshëm. Ajo arriti të përqafojë një pemë për më shumë se 50 orë, duke tejkaluar rekordin e mbajtur nga Frederick Boakye nga Ghana, i cili kishte qëndruar për 50 orë, dy minuta dhe 28 sekonda.
Sipas UPI, kjo është hera e dytë që Muthoni vendos një rekord të tillë. Në shkurt të vitit 2025, ajo kishte përqafuar një pemë për 48 orë rresht, duke e mbajtur përkohësisht rekordin botëror.
E reja theksoi se kjo sfidë nuk ishte thjesht një rekord, por një mesazh i fortë për ndërgjegjësimin mjedisor dhe veprimin kundër ndryshimeve klimatike.
“Përpjekja e parë ishte një deklaratë, një mënyrë për të riprezantuar njerëzimin në Tokë përmes një akti të thjeshtë. Përpjekja e dytë ishte angazhim, qëndrueshmëri dhe dëshmi se kujdesi për planetin nuk është i përkohshëm. Ta bëja dy herë ishte mënyra ime për të treguar se veprimi për klimën nuk është një ngjarje e vetme, por një përgjegjësi e vazhdueshme”, është shprehur Muthoni.
Akti i saj ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale dhe media ndërkombëtare, duke u konsideruar si një simbol i përkushtimit ndaj mbrojtjes së mjedisit.
Flaka
















