Protesta e 6 prillit për gjuhën shqipe, mbështetje nga profesorët dhe thirrje për reflektim institucional
Prorektori për Arsim dhe Çështje Studentore në Universiteti Nënë Tereza, Fati Iseni, ka shprehur mbështetjen e tij të hapur ndaj studentëve lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe, duke paralajmëruar pjesëmarrjen në protestën e 6 prillit.
Në reagimin e tij publik, Iseni thekson se përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore që nuk cenon gjuhët e tjera.
“Përdorimi i gjuhës amtare është e drejtë elementare dhe, në rastin konkret, përdorimi i gjuhës shqipe askund nuk e dobëson gjuhën maqedonase; përkundrazi, e përforcon tolerancën dhe krijon kohezion më të balancuar mes bashkësive”, deklaron ai.
Duke iu referuar karakterit multietnik të shtetit, ai shton:
“RMV-ja është shtet multietnik… ky shtet është i përbashkët dhe bashkë me të edhe hiseja dhe përgjegjësitë janë të përbashkëta.”
Iseni shpreh gjithashtu besimin se të drejtat e fituara nuk do të cenohen:
“Besoj se establishmenti politik relevant në shtet funksionon mbi bazën e principeve evroperëndimore dhe nuk do të lejojë që të drejtat e fituara të shqiptarëve të krasiten me abrogime apo keqinterpretime të ligjeve.”
Në fund, ai konfirmon pjesëmarrjen në protestë:
“Si profesor dhe, mbi të gjitha, si prind… më 6 prill 2026, ora 12:30, do të jem në mesin e tyre për të kërkuar drejtësi dhe barazi.”
Ndërkohë, profesoresha e Fakultetit Juridik në Universiteti i Tetovës, Vlona Pollozhani, e cilëson protestën si një sinjal të fortë për reflektim institucional dhe shoqëror në Maqedonia e Veriut.
“Protesta e studentëve në 6 Prill është një thirrje e qartë për reflektim mbi stabilitetin politik dhe shoqëror… barazia gjuhësore është parakusht për bashkëjetesë,” deklaroi ajo.
Sipas Pollozhanit, baza kushtetuese për përdorimin e gjuhëve buron nga Marrëveshja e Ohrit.
“Ky status sanksionon parimin e barazisë efektive dhe karakterin shumetnik të shtetit, duke e shndërruar përdorimin e gjuhës nga një çështje identitare në një normë imperative (jus cogens),” theksoi ajo.
Ajo paralajmëron se çdo kufizim i kësaj të drejte cenon rendin juridik:
“Çdo tentativë për kontestimin apo reduktimin e kësaj të drejte… cenon parimin e pacta sunt servanda.”
Ndërkohë, profesori Izet Zeqiri ngre alarmin për pabarazi strukturore në arsimin e lartë.
Sipas tij, mbi 12 mijë studentë shqiptarë përballen me mungesë të barazisë gjuhësore, sidomos në provimet për licenca profesionale.
“Ky është një konflikt strukturor, që vjen nga moszbatimi i amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjeve për përdorimin e gjuhës,” deklaron Zeqiri.
Ai thekson se situata është veçanërisht shqetësuese në drejtësi, ku shumica e studentëve studiojnë në shqip, por nuk mund të japin provimet kryesore në gjuhën e tyre.
Në fund, ai u bën thirrje institucioneve të garantojnë barazi të plotë dhe mbështet të drejtën e studentëve për protestë paqësore, duke e cilësuar atë si mjet legjitim për kërkimin e të drejtave.
Në anën tjetër, studentët nga Universiteti i Tetovës, Universiteti Nënë Tereza dhe Universiteti i Evropës Juglindore u kanë bërë thirrje publike profesorëve për mbështetje.
“Sot gjendemi përballë një sfide të tillë, ku mbështetja dhe zëri juaj janë të domosdoshëm për ne,” thuhet në letrën e tyre.
Ata kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe:
“Kërkojmë një të drejtë që na takon me Kushtetutë dhe ligj… mundësinë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.”
Studentët njoftojnë se protesta do të mbahet më 6 prill, ora 12:30 në Shkup, me nisje nga Ura e Gurit, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe dinjitoze.
“Ju ftojmë që të bëni apel publik për mbështetje masive të protestës paqësore dhe për pjesëmarrje dinjitoze,” theksohet në apel. Gazeta Flaka
















