Përplasje te Real Madrid: Raúl Asencio në konflikt me Álvaro Arbeloa
Një situatë e tensionuar është zbuluar brenda kampit të Real Madrid, ku mbrojtësi Raúl Asencio ka pasur një përplasje të fortë me trajnerin Álvaro Arbeloa.
Sipas raportimeve të Marca, gjithçka nisi kur Arbeloa vendosi ta linte Asencion në stol për ndeshjen ndaj Manchester City. Lojtari reagoi me pakënaqësi dhe e sfidoi trajnerin për këtë vendim, duke shkaktuar një debat të ashpër mes tyre.
Situata u përkeqësua edhe më shumë përpara ndeshjes kundër Elche CF, kur Asencio u paraqit në zyrën e trajnerit me një mjek, duke deklaruar se kishte shqetësime muskulore dhe nuk ndihej gati për të luajtur. Ky veprim irritoi Arbeloan, i cili më pas u detyrua të aktivizojë Antonio Rüdiger, edhe pse ky i fundit ishte planifikuar të pushonte.
Si pasojë e situatës, Arbeloa vendosi ta lërë jashtë Asencion në disa ndeshje, përfshirë ato ndaj Atlético Madrid dhe Manchester City, pavarësisht se lojtari stërvitej normalisht. Arsyeja kryesore ishte refuzimi fillestar i mbrojtësit për t’u kërkuar falje bashkëlojtarëve për sjelljen e tij.
Edhe pse më vonë Asencio kërkoi falje ndaj trajnerit, Arbeloa kërkoi që kjo të bëhej publikisht para skuadrës. Vetëm pas rikthimit nga pushimi ndërkombëtar, lojtari vendosi të kërkojë falje edhe para grupit, duke i dhënë fund konfliktit.
Pas kësaj, ai u rikthye në skuadër për ndeshjet ndaj RCD Mallorca dhe Bayern Munich, megjithatë nuk mori minuta në fushë.
Flaka
















