Afrim Myrtaj, heroi i gjallë që mposhti vdekjen në Zhegoc me 11 plumba në trup
Ish-zëdhënësi i UÇK-së për Zonën Operative të Karadakut, Ismet Sylejmani, ka sjellë një rrëfim prekës dhe plot heroizëm për luftëtarin Afrim Myrtaj, të cilin e cilëson si një “hero të gjallë”.
Myrtaj mbetet një nga figurat më emblematike të luftës çlirimtare në Malësinë e Zhegocit, duke simbolizuar sakrificën sublime të ushtarit shqiptar.
Gjatë luftimeve të ashpra të Epopesë së Zhegocit kundër forcave pushtuese serbe, Afrim Myrtaj u godit nga plumbat e armikut më shumë se 11 herë. Megjithatë, përkundër plagëve të rënda dhe gjakderdhjes së pandalur, ai mbeti i pathyeshëm dhe i papërkulur, duke dëshmuar një moral të çeliktë që i la pa fjalë bashkëluftëtarët.
Sylejmani e përshkruan kështu pamjen e luftëtarit të njësisë speciale mes flakëve dhe tymit të betejës:
“Hapi i tij ishte i vendosur, ndërsa shikimi përpara dëshmonte se ishte i pamposhtur. Afrim Myrtaj, sportisti i dikurshëm, në arenën e UÇK-së u shndërrua në një luftëtar legjendar, që nuk ndalej as kur trupi i tij goditej nga makineria luftarake serbe.”
Figura e Myrtajt, e krahasuar me një Herkul modern, simbolizon përgatitjen e lartë fizike dhe shpirtërore të rinisë shqiptare që rroku armët për liri.
Ai nuk ishte thjesht një ushtar, por një dëshmi e gjallë e triumfit të shpirtit mbi vdekjen, duke u bërë udhërrëfyes i guximit përballë rrezikut absolut.
Sot, sakrifica e tij vlerësohet si një nga gurthemelët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Populli dhe atdheu do t’i çmojnë përherë ata që nuk kursyen as gjakun dhe as jetën në momentet Ditmë vendimtare të historisë sonë kombëtare.
Afrim Myrtaj mbetet nishani i gjallë i asaj lufte titanike që i dha fund pushtimit shekullor. Ditari24h.com
















