Mickoski përballë akademisë: Profesori Reka sfidon kushtet në universitete
Prof. Dr. Arianit Reka ka njoftuar publikimin e punimit të tij të pestë për vitin 2026, me Impact Factor 8.1, duke theksuar se ky është punimi i tij i 44-të me Impact Factor dhe i 53-ti i indeksuar në SCOPUS, në vetëm 9 vite si i punësuar i rregullt në Universitetin e Tetovës.
Në një reagim publik drejtuar kryeministrit, Reka thekson vështirësitë me të cilat përballen profesorët universitarë në vend, duke ngritur shqetësime serioze për kushtet e punës dhe mungesën e mbështetjes institucionale.
“Është shumë e vështirë të prodhosh shkencë, të publikosh në revista me Impact Factor dhe të ruash dinjitetin profesional në kushte të vështira.”
Ai zbulon se laboratori i tij funksionon pa pajisje bazike, ndërsa zyra ku punon është vetëm 12 m², ku ndajnë hapësirën 4 profesorë dhe 2 asistentë.
“Laboratori im nuk ka as digjestor. Zyra ime është vetëm 12 m². Në atë hapësirë jemi 4 profesorë dhe 2 asistentë.”
Reka kritikon ashpër qasjen e institucioneve ndaj arsimit të lartë, duke e cilësuar si hipokrizi politike kërkesën për më shumë publikime shkencore, pa krijuar kushte reale për kërkim.
“Nuk ju lejoj të ofendoni as mua, as kolegët e mi… universiteti nuk mbrohet me servilizëm, por me qëndrim.”
Ai shton se zërin kundër ligjit të ri për arsimin e lartë e kanë ngritur pikërisht profesorët me kredibilitet dhe rezultate konkrete.
“Kundërshtimin më të qartë e ngritëm ne që kemi peshë akademike, rezultat dhe kredibilitet.”
Në fund, Reka i bën thirrje kryeministrit që të vizitojë nga afër kushtet në Universitetin e Tetovës.
“Ejani në laboratorin tim dhe shihni kushtet… askush nuk është kundër publikimeve, por kundër hipokrizisë politike.”
Debati për ligjin e ri të arsimit të lartë vijon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në vend, me përplasje të forta mes komunitetit akademik dhe institucioneve. Gazeta Flaka
















