Fjalimi i Kroos që prek Real Madridin: “Ekipi mbi gjithçka”
Legjenda gjermane Toni Kroos ka dhënë një fjalim mbresëlënës në Laureus World Sports Awards, duke treguar filozofinë që e bëri një nga mesfushorët më të suksesshëm në histori dhe pse Real Madrid vazhdon ta vlerësojë aq shumë.
Në fjalën e tij, Kroos theksoi rëndësinë e lojës kolektive mbi individualizmin: “Gjithmonë jam përpjekur të jem një lojtar skuadre. E dija qartë që mund të arrija gjëra të mëdha vetëm duke luajtur si ekip — jo si individ”.
Ai u ndal edhe te dinamika brenda një skuadre fituese, duke nënvizuar se suksesi nuk lidhet me miqësitë, por me unitetin në momentet kyçe: “Nuk do të thotë të kesh 20 miq në ekip. Kjo është e pamundur… Por në skuadrat ku kam fituar, kemi kuptuar kur duhet të jemi ekip, të lëmë egot mënjanë dhe të përdorim cilësinë individuale për të mirën e përbashkët”.
Kroos foli gjithashtu për vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli dhe për të mbajtur premtimin ndaj klubit madrilen: “U largova nga Real Madridi dhe u tërhoqa herët sepse doja që fjala ime të kishte vlerë. Që nga dita e parë e bëra të qartë se qëllimi im ishte të tërhiqesha te Real Madridi”.
Deklarata e tij është parë si një shembull i rrallë profesionalizmi dhe integriteti në futbollin modern, duke forcuar edhe më shumë lidhjen e tij të veçantë me klubin spanjoll.
Flaka












