Muriqi në qendër të merkatos – Barcelona dhe Fenerbahçe në garë
Sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi po vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar në tregun e transferimeve, edhe pse sezonin e ka kaluar me paraqitje të qëndrueshme në RCD Mallorca.
Interesi për të është rritur ndjeshëm, me zërat që e lidhin fillimisht me FC Barcelona, ndërsa së fundmi në garë është futur fuqishëm edhe Fenerbahçe. Mediat turke raportojnë për një marrëveshje paraprake mes klubit nga Stambolli dhe lojtarit, por ende nuk ka marrëveshje përfundimtare me Mallorcan.
Klubi spanjoll nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë sulmuesin kryesor. Sipas raportimeve, Mallorca ka vendosur një çmim rreth 30 milionë euro për kartonin e tij, duke reflektuar sezonin e tij të fortë dhe rëndësinë në skuadër.
Në stadium është vënë re edhe prania e agjentit të tij Utku Cenikli, gjë që ka shtuar spekulimet për një lëvizje të mundshme gjatë verës.
Muriqi po zhvillon një sezon mbresëlënës me 21 gola në La Liga, duke u kthyer në një nga sulmuesit më vendimtarë të kampionatit spanjoll. Megjithatë, çdo transferim mbetet kompleks edhe për shkak të detyrimeve financiare ndaj ish-klubit të tij SS Lazio, i cili zotëron një përqindje nga shitja e ardhshme.
Pavarësisht interesimit të madh, Mallorca synon ta mbajë liderin e sulmit, duke e konsideruar një pjesë kyçe të projektit të saj afatgjatë, ndërsa kontrata e tij e gjatë i jep klubit një pozicion të fortë në negociata.
Flaka
















