Jude Bellingham hyn në botën e kriketit me investim në Birmingham Phoenix
Ylli i Real Madrid dhe i kombëtares së Anglisë, Jude Bellingham, ka bërë një hap të ri jashtë futbollit duke hyrë në botën e investimeve sportive.
Mesfushori ka blerë një pjesë të vogël të klubit të kriketit Birmingham Phoenix, duke investuar rreth 1.2% të aksioneve për një shumë prej afërsisht 800 mijë paundësh (rreth 1 milion euro).
Klubi mbetet kryesisht në pronësi të Warwickshire County Cricket Club, ndërsa një pjesë tjetër kontrollohet nga grupi Knighthead Capital Management, ku është investitor edhe ish-ylli i NFL-së Tom Brady.
Bellingham, i lindur në Stourbridge, ka theksuar se investimi është edhe një mënyrë për t’i kthyer diçka qytetit të tij të lindjes. Ai ka treguar gjithashtu lidhjen e tij të veçantë me kriketin, sport që e ka luajtur që në fëmijëri.
Mesfushori ka kujtuar se sportet e ndryshme që ka luajtur me vëllanë e tij kanë ndikuar në zhvillimin e tij personal dhe profesional, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe respektit në sport.
Birmingham Phoenix garon në kompeticionin “The Hundred”, i krijuar në vitin 2021, me ndeshje që zhvillohen në stadiumin “Edgbaston” në Birmingham.
Flaka
















