Mungesa e gjumit sjell pasoja serioze për shëndetin
Pagjumësia po kthehet në një nga problemet më të përhapura të kohëve moderne dhe ekspertët paralajmërojnë se mungesa e gjumit mund të ndikojë seriozisht në shëndetin fizik dhe mendor.
Nëse në vitet 1940 njerëzit flinin mesatarisht rreth 8 orë në natë, sot kjo mesatare ka rënë në rreth 6 orë. Megjithatë, specialistët rekomandojnë 7 deri në 9 orë gjumë për të ruajtur një metabolizëm dhe organizëm të shëndetshëm.
Sipas statistikave, miliona njerëz vuajnë nga çrregullimet e gjumit, ndërsa efektet e pagjumësisë shfaqen jo vetëm në trup, por edhe në pamjen e jashtme dhe gjendjen emocionale.
Një nga pasojat më të zakonshme është nervozizmi dhe luhatja emocionale. Netët pa gjumë shkaktojnë irritim, stres dhe reagime më të forta emocionale ndaj situatave të përditshme.
Po ashtu, dhimbjet kronike të kokës dhe migrena lidhen shpesh me mungesën e gjumit. Shumë persona zgjohen në mëngjes me lodhje dhe dhimbje të forta koke për shkak të pushimit jo të mjaftueshëm.
Ekspertët theksojnë se pagjumësia ndikon edhe në aftësinë për të mësuar dhe përqendruar. Kujtesa afatshkurtër dobësohet dhe truri e ka më të vështirë të përpunojë informacionin.
Një tjetër problem i lidhur me mungesën e gjumit është shtimi në peshë, pasi hormonet që kontrollojnë oreksin dhe metabolizmin çrregullohen gjatë natës.
Problemet me shikimin, ndjeshmëria ndaj dritës, lodhja e syve dhe madje halucinacionet mund të shfaqen te personat që qëndrojnë zgjuar për periudha të gjata.
Pagjumësia rrit gjithashtu rrezikun për sëmundje të zemrës, tension të lartë dhe dobësim të sistemit imunitar, duke e bërë organizmin më të pambrojtur ndaj infeksioneve.
Shenjat e mungesës së gjumit duken edhe në fytyrë, përmes rrathëve të zinj, skuqjeve dhe puçrrave, ndërsa shumë persona përjetojnë edhe urinim të shpeshtë gjatë natës.
Specialistët këshillojnë krijimin e një rutine të rregullt gjumi dhe shmangien e stresit apo përdorimit të tepërt të telefonit para gjumit, për të përmirësuar cilësinë e pushimit dhe shëndetin në përgjithësi.
Flaka










