Studimi: 7 orë gjumë mund të jenë çelësi i shëndetit dhe jetëgjatësisë
Një studim i ri i realizuar nga shkencëtarë në SHBA ka analizuar të dhënat e afro gjysmë milioni pjesëmarrësve nga UK Biobank dhe ka zbuluar një lidhje të fortë mes kohëzgjatjes së gjumit dhe shenjave të plakjes biologjike.
Hulumtimi, i botuar në revistën Nature, tregon se rreth shtatë orë gjumë në natë lidhen me një gjendje më të mirë të organizmit dhe më pak shenja të përshpejtimit të plakjes biologjike.
Sipas rezultateve, personat që flenë më pak se 6 orë ose më shumë se 8 orë në natë kanë më shpesh shenja të përshpejtimit të procesit të plakjes biologjike, krahasuar me ata që qëndrojnë në një interval optimal prej 6.4 deri në 7.8 orë.
Plakja biologjike përshkruan rënien graduale të funksioneve të trupit, duke përfshirë aftësinë për rigjenerim qelizor dhe rritjen e rrezikut për sëmundje të ndryshme.
Studiuesit nga Columbia University Irving Medical Center përdorën inteligjencë artificiale dhe të ashtuquajturat “orë plakjeje” për të analizuar 17 sisteme organesh përmes të dhënave të gjakut, imazheve mjekësore dhe biomarkerëve.
Autori kryesor i studimit, Junhao Wen, theksoi se rezultatet nuk tregojnë domosdoshmërisht se gjumi shkakton drejtpërdrejt plakjen, por se gjumi i pamjaftueshëm ose i tepërt mund të jetë tregues i shëndetit më të dobët të përgjithshëm.
Gjumi i çrregullt është lidhur gjithashtu me gjendje si Diabet mellitus type 2, hipertensioni dhe çrregullime të tjera metabolike e kardiake.
Ekspertët rekomandojnë një rutinë të rregullt gjumi, shmangie të ekraneve para gjumit dhe kufizim të kafeinës në orët e vona.
Flaka
















