Konsumimi i një kastraveci në ditë sjell përfitime të shumta për shëndetin
Kastraveci konsiderohet një nga ushqimet më të shëndetshme dhe më freskuese, ndërsa ekspertët theksojnë se konsumimi i tij i përditshëm mund të sjellë shumë përfitime për organizmin.
I përbërë rreth 95 për qind nga uji, kastraveci ndihmon në hidratimin e trupit dhe largimin e toksinave. Përveç kësaj, ai ka shumë pak kalori, duke u bërë ideal për personat që duan të mbajnë nën kontroll peshën trupore.
Ky perim është i pasur me fibra, vitamina dhe minerale si vitamina C, K, magnez, kalium dhe hekur, të cilat kontribuojnë në forcimin e sistemit imunitar dhe përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm.
Sipas studimeve, kastraveci ndihmon edhe në uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe kolesterolit të keq, falë antioksidantëve që përmban. Gjithashtu, ai ndikon pozitivisht në tretje, duke parandaluar kapsllëkun dhe duke përmirësuar funksionimin e zorrëve.
Një tjetër përfitim interesant është ndikimi i tij në shëndetin oral. Vendosja e një fete kastraveci në gojë për disa sekonda ndihmon në eliminimin e baktereve dhe aromës së pakëndshme.
Kastraveci kontribuon edhe në shëndetin e flokëve, thonjve dhe lëkurës, falë përmbajtjes së lartë të vitaminave dhe squfurit, elemente të rëndësishme për krijimin e indeve të forta dhe rritjen e shëndetshme të flokëve.
Ekspertët sugjerojnë që përfshirja e kastravecit në dietën e përditshme mund të jetë një hap i thjeshtë, por shumë i dobishëm për mirëqenien e organizmit.
Flaka
















