Jorge Mendes: Vitinha dhe João Neves nuk lëvizin nga PSG
Agjenti i njohur Jorge Mendes ka hedhur poshtë spekulimet që lidhnin Vitinhan dhe João Neves me një transferim te Real Madrid, duke theksuar se dy mesfushorët portugezë janë të paprekshëm për Paris Saint-Germain.
Në një deklaratë ekskluzive, Mendes bëri të qartë se asnjëri prej lojtarëve nuk ka qenë realisht një opsion për largim nga klubi francez.
“Vitinha dhe João nuk kanë qenë kurrë një opsion për askënd. Ata janë të panegociueshëm për Paris Saint-Germain dhe janë shumë, shumë të lumtur në PSG. Do të vazhdojnë të fitojnë trofe me këtë klub”, deklaroi ai.
Kohët e fundit, mediat spanjolle kishin raportuar për interesimin e Real Madridit ndaj dy yjeve portugezë, por deklarata e Mendes duket se i jep fund këtyre spekulimeve. PSG i konsideron të dy lojtarët pjesë kyçe të projektit afatgjatë dhe nuk ka ndërmend të dëgjojë oferta për ta.
Vitinha dhe João Neves kanë qenë ndër figurat më të rëndësishme të skuadrës parisiene dhe klubi francez synon të vazhdojë sukseset duke u mbështetur te bërthama aktuale e ekipit.
Për momentin, çdo mundësi për t’i parë ata me fanellën e Real Madridit duket e përjashtuar, ndërsa e ardhmja e tyre mbetet e lidhur ngushtë me PSG-në.
Flaka












