Përfitimet shëndetësore që vijnë pas lënies së duhanit
Lënia e duhanit sjell ndryshime të rëndësishme në trupin e njeriut, duke nisur te vetëm pak minuta pas cigareve të fundit dhe duke vazhduar me përmirësime afatgjata në shëndet, sipas të dhënave të publikuara nga organizata shëndetësore si Cancer Research UK dhe Healthline.
Vetëm 20 minuta pas lënies së duhanit, presioni i gjakut dhe pulsi fillojnë të kthehen në nivele më normale, ndërsa qarkullimi i gjakut nis të përmirësohet. Po ashtu, funksioni i fibrave në rrugët e frymëmarrjes fillon të rikthehet, duke ndihmuar në uljen e rrezikut të infeksioneve në mushkëri.
Pas 72 orësh, frymëmarrja bëhet më e lehtë, pasi bronket relaksohen dhe oksigjeni qarkullon më lirshëm në trup. Në këtë fazë fillon edhe rritja graduale e kapacitetit të mushkërive.
Pas një jave, organizmi përshtatet më mirë me mungesën e nikotinës, ndërsa personat që kalojnë këtë fazë kanë shumë më shumë gjasa të heqin dorë përfundimisht nga duhani. Dy javë më vonë, qarkullimi përmirësohet ndjeshëm dhe funksioni i mushkërive rritet.
Pas një muaji, shumë persona raportojnë më shumë energji, më pak bllokime të sinuseve dhe frymëmarrje më të lehtë. Mushkëritë vazhdojnë të pastrohen dhe të forcohen.
Në periudha më të gjata, si 3 muaj, 1 vit dhe më tej, përfitimet bëhen edhe më të mëdha: përmirësohet fertiliteti, ulet rreziku për sëmundje të zemrës dhe rritet ndjeshëm kapaciteti i mushkërive. Pas 5 viteve, rreziku për goditje në tru dhe kancer të mushkërive ulet ndjeshëm, ndërsa pas 15 vitesh, rreziku i sulmit në zemër barazohet me atë të një personi që nuk ka pirë kurrë duhan.
Ekspertët theksojnë se lënia e duhanit mbetet një nga vendimet më të rëndësishme për përmirësimin e shëndetit dhe cilësisë së jetës.
Flaka










