Si të mbrojmë sytë gjatë punës në kompjuter? Këshilla të rëndësishme
Puna e gjatë para ekranit të kompjuterit mund të sjellë lodhje të syve dhe probleme me shikimin, pasi sytë reagojnë vazhdimisht ndaj ndryshimeve të dritës dhe kontrastit.
Ekspertët theksojnë se vitamina A luan një rol të rëndësishëm në shëndetin e syve, pasi ndihmon në prodhimin e rodopsinës, një pigment i domosdoshëm për shikimin në kushte të ndryshme ndriçimi. Personat që kalojnë shumë kohë para kompjuterit mund të kenë nevojë për një konsum të rregullt të ushqimeve të pasura me këtë vitaminë.
Gjithashtu, beta-karotenet janë një alternativë e rëndësishme për ata që kërkojnë të reduktojnë yndyrnat dhe kolesterolin në ushqim. Ato gjenden në shumë perime dhe fruta si kumbullat e thata, pjepri, pjeshka dhe mango, duke kontribuar në shëndetin e përgjithshëm të syve.
Përveç ushqimit, edhe zakonet e përditshme në punë kanë ndikim të madh në ruajtjen e shikimit. Rekomandohet që tastiera dhe pozicioni i punës të jenë të përshtatura për një qëndrim të drejtë dhe të rehatshëm, me pjerrësi të lehtë gjatë shkrimit dhe leximit.
Ekrani i kompjuterit duhet të jetë rreth 50–60 cm larg syve, ndërsa ndriçimi i ambientit nuk duhet të jetë shumë i errët dhe nuk duhet të krijojë reflekse në ekran. Po ashtu, rekomandohet përdorimi i filtrave kundër reflektimeve dhe rregullimi i dritës së ekranit në nivel mesatar.
Specialistët këshillojnë gjithashtu pushime të shkurtra gjatë punës: çdo orë të largohet vështrimi nga ekrani për disa minuta, si dhe të shikohet përreth për të relaksuar muskujt e syve.
Drita natyrale dhe ambienti i mirë i punës konsiderohen faktorë të rëndësishëm për të reduktuar lodhjen e syve dhe për të ruajtur shikimin në afat të gjatë.
Flaka










