Dushi i ftohtë në vapë nuk është zgjidhja ideale – ekspertët paralajmërojnë rreziqet për trupin
Në ditët me temperatura të larta, shumë njerëz zgjedhin dushin e ftohtë si mënyrë të shpejtë për t’u freskuar. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo praktikë jo gjithmonë është e dobishme për organizmin dhe në disa raste mund të sjellë edhe rreziqe për shëndetin, shkruan The Independent.
Sipas specialistëve, zhytja ose ekspozimi i menjëhershëm ndaj ujit shumë të ftohtë nuk e ul realisht temperaturën bazë të trupit. Përkundrazi, trupi reagon duke ngushtuar enët e gjakut në sipërfaqen e lëkurës, duke kufizuar qarkullimin dhe duke “bllokuar” nxehtësinë brenda organizmit.
Ky reagim natyral i trupit mund të krijojë efekt të kundërt, duke e bërë më të vështirë largimin e nxehtësisë së tepërt. Në disa raste, ekspozimi i menjëhershëm ndaj ujit shumë të ftohtë mund të shkaktojë edhe të ashtuquajturin “shok të ftohtit”, që ndikon në rritjen e presionit të gjakut dhe ngarkon zemrën.
Ekspertët theksojnë se ky efekt mund të jetë veçanërisht i rrezikshëm për personat me probleme kardiake, pasi ndryshimi i menjëhershëm i temperaturës mund të çojë në çrregullime të ritmit të zemrës.
Edhe dushi me ujë shumë të nxehtë nuk rekomandohet gjatë vapës, pasi mund të rrisë më tej temperaturën e trupit dhe të pengojë ftohjen natyrale të tij.
Sipas studimeve, opsioni më i mirë në ditët e nxehta mbetet dushi me ujë të vakët, rreth 26–27°C, i cili ndihmon trupin të ftohet gradualisht pa shkaktuar stres fiziologjik.
Përveç kësaj, uji i ftohtë është më pak efektiv në pastrimin e lëkurës, pasi nuk arrin të shpërbëjë si duhet yndyrat dhe papastërtitë, duke rritur mundësinë për bllokim të poreve dhe shfaqje të akneve.
Ekspertët këshillojnë që freskimi në vapë të bëhet gradualisht, duke shmangur ndryshimet e menjëhershme të temperaturës dhe duke i dhënë trupit kohë të përshtatet.
Flaka
















