Atlético Madrid i vendosur: Álvarez nuk largohet pa 150 milionë euro
E ardhmja e sulmuesit argjentinas Julián Álvarez te Atlético Madrid po bëhet gjithnjë e më e paqartë, pas raportimeve të reja që flasin për një situatë të ndërlikuar mes lojtarit dhe klubit.
Sipas gazetarit Pedro Morata (MARCA), drejtuesi ekzekutiv i klubit Miguel Ángel Gil Marín ka zhvilluar një takim me Álvarez në muajin shkurt, ku i ka bërë të ditur se klubi mund t’ia lehtësojë largimin në fund të sezonit, nëse lojtari do të insistonte për një gjë të tillë.
Megjithatë, nga ana tjetër, burime brenda klubit theksojnë se Atlético nuk ka ndërmend ta shesë sulmuesin, duke e konsideruar atë pjesë të rëndësishme të projektit sportiv. Madje, qëndrimi zyrtar është se për lojtarin nuk do të ketë negociata as për shifra që arrijnë 150 deri në 200 milionë euro.
Raportohet gjithashtu se marrëdhënia mes Álvarez dhe trajnerit Diego Simeone nuk është plotësisht ideale, gjë që ka shtuar dyshimet për të ardhmen e tij. Në garë për shërbimet e tij përmenden klube si FC Barcelona, Paris Saint-Germain dhe Arsenal, por një marrëveshje mbetet shumë e vështirë në këtë fazë.
Sipas raportimeve, situata përfundon në dy skenarë: ose Álvarez qëndron te Atlético Madrid, ose një klub i interesuar duhet të përgatitet për një ofertë minimale prej 150 milionë eurosh.
Flaka
















