Frutat që ulin rrezikun e sëmundjeve kronike dhe përmirësojnë shëndetin
Frutat dhe perimet e ndryshme që konsumohen çdo ditë përmbajnë një sasi të lartë antioksidantësh, substanca që luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e qelizave të trupit nga dëmtimet e shkaktuara nga radikalet e lira.
Sipas dietologëve, antioksidantët ndihmojnë në ngadalësimin e procesit të plakjes, përmirësojnë shëndetin e lëkurës dhe kontribuojnë në uljen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve kronike si ato kardiovaskulare, diabeti dhe disa lloje kanceri.
Ndër ushqimet më të pasura me antioksidantë renditen shumë fruta dhe perime të njohura. Brokoli përmban vitaminë C dhe përbërës me veti mbrojtëse për qelizat, ndërsa boronica njihet si një nga frutat më të fuqishme për shëndetin e zemrës dhe kujtesës.
Po ashtu, portokalli është i pasur me vitaminë C dhe ndihmon në detoksifikimin e organizmit, ndërsa kivi kontribuon në forcimin e imunitetit dhe mbrojtjen kundër infeksioneve.
Në listë përfshihen gjithashtu qershitë, të cilat kanë veti anti-inflamatore, si dhe shalqiri, i pasur me ujë dhe likopen që ndihmon në shëndetin e zemrës dhe kockave.
Ekspertët theksojnë se edhe perimet si spinaqi dhe karçofi janë burime të rëndësishme të antioksidantëve dhe mineraleve që mbështesin funksionimin normal të organizmit.
Konsumimi i rregullt i këtyre ushqimeve, si pjesë e një diete të balancuar, konsiderohet një nga mënyrat më të thjeshta për të përmirësuar shëndetin e përgjithshëm dhe për të forcuar imunitetin.
Flaka
















