Kur dhimbja e kokës sinjalizon probleme shëndetësore
Dhimbjet e kokës paraqiten në dhjetëra forma të ndryshme, disa prej të cilave janë të rralla dhe shpesh të vështira për t’u diagnostikuar, theksojnë ekspertët shëndetësor.
Sipas tyre, çdo lloj dhimbjeje koke duhet trajtuar si rast i veçantë, pasi historia e plotë e pacientit luan rol kyç në përcaktimin e shkakut dhe trajtimit të duhur. Sa më shumë detaje të ofrojë pacienti për simptomat, aq më e saktë bëhet diagnoza.
Një nga format është dhimbja e kokës e shkaktuar nga përpjekjet e tepërta fizike. Kjo ndodh disa minuta pas aktivitetit intensiv si ushtrime të rënda, marrëdhënie seksuale, teshtima të forta ose të qeshura intensive. Sipas specialistëve, rritja e presionit të lëngut cerebrospinal në tru mund të shkaktojë këtë lloj dhimbjeje, e cila zakonisht qetësohet brenda pak minutash, edhe pse rrallë mund të lidhet me probleme të enëve të gjakut.
Një tjetër formë është dhimbja e kokës e lidhur me hipertensionin. Shumë persona zbulojnë presionin e lartë të gjakut pikërisht përmes dhimbjeve të forta të kokës. Kjo gjendje ndikon në qarkullimin e gjakut në tru dhe shpesh shfaqet më shumë në mëngjes, duke u lehtësuar gjatë ditës.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e kontrollit të rregullt të tensionit të gjakut, pasi mbajtja e tij në vlera normale është thelbësore për parandalimin e komplikimeve dhe trajtimin e hershëm të simptomave.
Flaka










