Zgjidhje praktike për largimin e erës së duhanit nga rrobat
Era e tymit të duhanit është një nga aromat më të pakëndshme që mund të ngjitet në rroba pas një mbrëmjeje në bare, koncerte apo takime në ambiente të mbyllura. Shpesh kjo aromë vazhdon të ndihet edhe pasi kthehemi në shtëpi, duke u përhapur në veshje dhe duke u bërë e vështirë për t’u larguar.
Për fat të mirë, ekzistojnë disa metoda të thjeshta që mund të ndihmojnë në eliminimin e kësaj ere të padëshiruar pa përdorur domosdoshmërisht larje të menjëhershme.
Një nga mënyrat më të thjeshta është ajrosja e rrobave në ambient të hapur. Rrezet e diellit dhe ajri i freskët ndihmojnë në neutralizimin e aromës së tymit.
Një tjetër metodë efektive është përdorimi i sodës së bukës. Rrobat vendosen në një qese të mbyllur dhe shtohet sodë buke, e cila ndihmon në thithjen e aromave gjatë disa orëve.
Para larjes në lavatriçe, mund të përdoret uthulla duke i lënë rrobat në ujë të ngrohtë me pak uthull, e cila ndihmon në neutralizimin e erërave të forta. Po ashtu, lëngu i limonit është i njohur për vetitë e tij pastruese dhe freskuese, duke ndihmuar në heqjen e aromave të pakëndshme.
Edhe vodka përdoret shpesh si një zgjidhje alternative për neutralizimin e aromave, pasi ndihmon në eliminimin e tyre pa dëmtuar materialin e rrobave.
Në përgjithësi, shmangia e ambienteve me tym duhani mbetet mënyra më e mirë për të parandaluar ngjitjen e aromës në rroba dhe për të mbajtur një ambient më të shëndetshëm dhe më të freskët.
Flaka










