Studim i ri: Hidratimi i rregullt mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës
Një studim i ri shkencor ka treguar se konsumimi i mjaftueshëm i ujit çdo ditë mund të ketë ndikim të rëndësishëm në shëndetin e zemrës dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare në afat të gjatë.
Sipas studiuesve, hidratimi i mirë jo vetëm që parandalon dehidratimin, por mund të ndihmojë edhe në ngadalësimin e ndryshimeve strukturore të zemrës që lidhen me rrezikun e atakut dhe arrestit kardiak.
Autorja e studimit, Natalia Dmitrieva nga Instituti Kombëtar i Zemrës, Mushkërive dhe Gjakut, theksoi se të dhënat tregojnë një lidhje të qartë mes nivelit të hidratimit dhe shëndetit të zemrës në dekada më vonë.
“Studimi ynë sugjeron se një hidratim i mirë mund të parandalojë ose të ngadalësojë ndryshimet në zemër që çojnë në probleme serioze kardiake”, u shpreh ajo.
Ekspertët rekomandojnë që gratë të konsumojnë rreth 6 deri në 8 gota ujë në ditë, ndërsa për meshkujt kjo shifër varion nga 8 deri në 12 gota. Megjithatë, sondazhet tregojnë se shumë persona nuk arrijnë këto nivele të rekomanduara.
Studiuesit përdorën të dhëna nga mbi 15,000 të rritur në studimin ARIC, duke analizuar lidhjen mes niveleve të sodiumit në gjak dhe ndryshimeve në strukturën e zemrës. Rezultatet treguan se përqendrimi më i lartë i sodiumit lidhet me rritjen e rrezikut për hipertrofi të ventrikulit të majtë dhe probleme të tjera kardiake.
Sipas të dhënave, çdo rritje e vogël e nivelit të sodiumit mund të rrisë rrezikun për ndryshime në zemër dhe sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen.
Flaka










