Studimi: Një vezë në ditë mund të ulë rrezikun e sëmundjeve të zemrës
Një studim i gjerë i realizuar në më shumë se 500 mijë persona në Kinë sugjeron se konsumimi i një veze në ditë mund të lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare.
Sipas hulumtimit, të publikuar në revistën shkencore Heart, konsumimi i moderuar i vezëve mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme dhe të sjellë përfitime për organizmin. Studiuesit analizuan ndikimin e vezëve në shëndetin e zemrës, duke sfiduar bindjet e mëparshme se konsumimi i tyre rrit ndjeshëm kolesterolin ose paraqet rrezik për shëndetin.
Profesoresha Nita Forouhi nga Universiteti i Kembrixhit thekson se një vezë në ditë mund të jetë e dobishme për shëndetin, ndërsa ekspertët e të ushqyerit rekomandojnë që vezët të konsumohen si pjesë e një diete të balancuar.
Vezët janë një burim i pasur i proteinave cilësore, vitaminave A, D, B dhe B12, si dhe përmbajnë antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e shikimit.
Edhe Shoqëria Dietike Britanike vlerëson se konsumimi i një ose dy vezëve në ditë është i sigurt për shumicën e njerëzve të shëndetshëm. Megjithatë, ekspertët kujtojnë se çelësi i një ushqyerjeje të mirë mbetet larmia e ushqimeve dhe jo mbështetja vetëm te një produkt.
Specialistët këshillojnë që çdo ndryshim në regjim ushqimor të bëhet në konsultim me mjekun, veçanërisht për personat që vuajnë nga sëmundje kronike ose kanë nevoja të veçanta shëndetësore.
Flaka










