Studimi që po ndryshon debatin: A është kripa më pak e rrezikshme nga sa mendonim?
Një studim i ri i publikuar në revistën prestigjioze mjekësore “The Lancet” ka sjellë një debat të ri rreth konsumimit të kripës, duke sugjeruar se ajo mund të mos jetë aq e dëmshme për shëndetin sa është menduar më parë, nëse konsumohet në sasi të moderuara.
Sipas hulumtuesve, efektet negative të natriumit – përbërësi kryesor i kripës – janë rritja e presionit të gjakut dhe shtimi i rrezikut për sulme në tru, janë vërejtur kryesisht në komunitetet që konsumojnë më shumë se 5 gramë kripë në ditë.
Rezultatet e këtij studimi bien në kundërshtim me disa rekomandime të institucioneve shëndetësore, të cilat prej vitesh këshillojnë reduktimin e konsumit të kripës për të ulur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon konsumimin e më pak se 2 gramëve kripë në ditë, ndërsa Shoqata Amerikane e Zemrës sugjeron një kufi maksimal prej 2.3 gramësh, me një sasi ideale rreth 1.5 gramë.
Autorët e studimit theksojnë se si konsumimi shumë i lartë, ashtu edhe ai shumë i ulët i natriumit mund të kenë pasoja negative për shëndetin. Sipas tyre, një nivel i moderuar i kripës mund të ketë edhe një rol mbrojtës për organizmin.
Ekspertët paralajmërojnë se rezultatet nuk duhet të interpretohen njësoj për çdo individ, pasi studimi është bazuar në të dhëna nga komunitete dhe jo nga persona të veçantë.
Studimi gjithashtu nxori në pah rëndësinë e kaliumit në dietë. Komunitetet që konsumojnë më shumë ushqime të pasura me kalium kanë treguar norma më të ulëta të sulmeve në tru, sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë.
Kaliumi gjendet në ushqime si bananet, domatet, patatet e ëmbla, perimet e gjelbra, fasulet, jogurti dhe lëngu i portokallit.
Flaka
















