Ekspertët zbulojnë ushqimet që ju ndihmojnë ta përballoni më lehtë vapën e verës
Temperaturat e larta mund ta vënë organizmin nën stres, por sipas ekspertëve, zgjedhjet e duhura ushqimore mund të ndihmojnë në përballimin më të lehtë të valëve të të nxehtit.
Epidemiologu Tim Spector, ekspert i shëndetit të zorrëve, thekson se një mikrobiomë e shëndetshme mund të ndikojë pozitivisht në mënyrën se si trupi reagon ndaj temperaturave të larta. Sipas tij, edhe pse një zorrë e shëndetshme nuk e eliminon rrezikun nga nxehtësia, ajo mund të ndihmojë organizmin të përballojë më mirë stresin fizik.
Ai shpjegon se dehidratimi mund të ngadalësojë tretjen, të rrisë ndjeshmërinë e zorrëve dhe të ndikojë negativisht në mikrobet e dobishme të tyre, duke shkaktuar fryrje, parehati dhe ndjenjë lodhjeje.
Për këtë arsye, Spector rekomandon konsumimin e ushqimeve të pasura me ujë, si shalqiri, kastravecat, domatet, agrumet, manaferrat, marulja dhe perimet me gjethe jeshile. Po ashtu, ai sugjeron edhe ushqime të fermentuara si kosi me kultura të gjalla dhe kefiri, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e një mikrobiome të shëndetshme.
Eksperti këshillon që këto ushqime të konsumohen rregullisht gjatë gjithë ditës dhe jo vetëm kur shfaqet etja ose ndjesia e mbinxehjes. Një mëngjes me kos ose kefir të kombinuar me fruta, arra dhe fara, si dhe vakte të lehta me perime, bishtajore, drithëra integrale dhe vaj ulliri, konsiderohen zgjedhje ideale gjatë ditëve të nxehta.
Rekomandime të ngjashme jep edhe kirurgu gastrointestinal Antonios Athanasiou, i cili këshillon shmangien e vakteve të rënda dhe të yndyrshme gjatë vapës, pasi ato e rëndojnë tretjen dhe mund të shtojnë ndjenjën e lodhjes. Ai thekson se frutat, perimet dhe produktet me probiotikë natyralë, si kosi, janë aleatë të rëndësishëm për hidratimin dhe shëndetin e zorrëve gjatë verës.
Flaka
















