Studimi: Përdorimi i telefonit mbi pesë orë në ditë mund të rrisë rrezikun e obezitetit me 43%
Një studim i publikuar së fundmi ka zbuluar një lidhje mes përdorimit të zgjatur të telefonit dhe rritjes së rrezikut për obezitet. Sipas hulumtimit, personat që kalojnë më shumë se pesë orë në ditë duke përdorur telefonin kanë deri në 43% më shumë gjasa të zhvillojnë obezitet.
Në studim morën pjesë 1.060 studentë universitarë, të cilët u monitoruan për një periudhë gjashtëmujore, nga qershori deri në dhjetor të vitit 2018. Rezultatet treguan se 26% e pjesëmarrësve ishin me mbipeshë, ndërsa 4.6% rezultuan obezë, duke kaluar më shumë se pesë orë në ditë me telefon në dorë.
Studiuesit theksojnë se përdorimi i tepërt i telefonit shpesh shoqërohet me një mënyrë jetese sedentare, pasi njerëzit lëvizin më pak dhe angazhohen më pak në aktivitete fizike, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në shtimin e peshës.
Hulumtimi evidentoi gjithashtu dallime mes gjinive. Sipas të dhënave, burrat kishin 36.1% më shumë gjasa të ishin me mbipeshë dhe 42.6% më shumë gjasa të ishin obezë, ndërsa te gratë këto shifra ishin 63.9% për mbipeshën dhe 57.4% për obezitetin.
“Rezultatet e këtij studimi na lejojnë të theksojmë një nga faktorët kryesorë që kontribuojnë në obezitet, një gjendje që rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare,” tha Mantilla-Morron, specialiste e rehabilitimit vaskular në Fakultetin e Shkencave të Shëndetit në Universitetin “Simon Bolivar” në Barranquilla, Kolumbi.
Ekspertët rekomandojnë kufizimin e kohës para ekranit, rritjen e aktivitetit fizik dhe mbajtjen e një stili jetese të shëndetshëm për të ulur rrezikun e mbipeshës dhe obezitetit.
Flaka
















