Guardiola refuzon Italinë, nuk do të marrë drejtimin e “Axurrëve”
Pep Guardiola nuk do të jetë trajneri i ardhshëm i Kombëtares së Italisë. Trajneri spanjoll ka refuzuar ofertën e Federatës Italiane të Futbollit, duke vendosur të marrë një pushim nga futbolli pas një dekade në krye të Manchester Cityt.
Sipas raportimeve të Fabrizio Romanos, Italia kontaktoi Guardiolën javën e kaluar, por ai ua bëri të qartë drejtuesve se dëshiron të përqendrohet te jeta personale përpara se të rikthehet në pankinë në të ardhmen.
Interesimi i Italisë për Guardiolën erdhi pasi Carlo Ancelotti vendosi të vazhdojë projektin me Kombëtaren e Brazilit, duke refuzuar gjithashtu mundësinë për të marrë drejtimin e “Axurrëve”.
Pas refuzimeve të dy trajnerëve të njohur, Federata Italiane ka kthyer vëmendjen te emra të tjerë. Andrea Pirlo, Roberto Mancini dhe Antonio Conte janë kandidatët që po shqyrtohen nga drejtuesit Paolo Maldini dhe Leonardo për postin e trajnerit të ri të Italisë.
Vendimi i Guardiolës nënkupton se ai planifikon të largohet përkohësisht nga futbolli aktiv pas përfundimit të aventurës së tij me Manchester Cityn, me synimin për t’u rikthyer në pankinë në një moment të mëvonshëm.
Flaka
















