Rafael Leão flet për të ardhmen: Kam menduar për një eksperiencë të re
Sulmuesi i Milanit, Rafael Leão, ka folur hapur për të ardhmen e tij, duke pranuar se ka diskutuar me drejtuesit e klubit mundësinë për të provuar një aventurë të re në karrierë.
Në një intervistë për podcastin Podpah, reprezentuesi portugez theksoi se ende nuk ka asgjë të vendosur, por nuk e përjashtoi mundësinë e një transferimi.
“Kam folur tashmë me klubin për mundësinë që të provoj një eksperiencë të re. Nuk e di nëse do të ndodhë. Më 29 korrik do të paraqitem në klub dhe, për sa kohë të jem pjesë e Milanit, do të jap gjithmonë maksimumin me respekt për fanellën që më ka dhënë gjithçka”, u shpreh Leão.
Ai shtoi se Milani ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tij si futbollist, por theksoi se çdo lojtar ka ambicie për sfida të reja.
Leão komentoi edhe kritikat për paraqitjet e tij, duke thënë se pritshmëritë janë rritur ndjeshëm në futbollin modern.
“Shënova tetë gola, por njerëzit kërkojnë gjithmonë më shumë, sidomos kur krahasohesh me lojtarë si Erling Haaland dhe Kylian Mbappé, të cilët realizojnë rreth 60 gola në sezon.”
Deklaratat e tij pritet të nxisin edhe më shumë spekulimet për të ardhmen, ndërsa disa klube të mëdha evropiane vazhdojnë ta monitorojnë situatën e sulmuesit portugez.
Flaka
















