Studimi i ri: Ngrënia e vakteve herët gjatë ditës mund të ndihmojë në kontrollin e peshës
Orari i vakteve mund të luajë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e peshës, përveç përzgjedhjes së ushqimeve që konsumojmë.
Një studim i fundit ka analizuar ndikimin e ngrënies së vakteve në orare të ndryshme dhe ka zbuluar se konsumimi i ushqimit më herët gjatë ditës mund të ndihmojë në uljen e oreksit dhe kontrollin e dëshirës për të ngrënë.
Në studim, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Grupi i parë konsumoi të gjitha vaktet nga ora 08:00 deri në 14:00, ndërsa grupi i dytë nga ora 08:00 deri në 20:00. Rezultatet treguan se grupi që hante më herët nuk dogji më shumë kalori, por pati një ulje të ndjeshme të oreksit.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se hormoni i urisë, ghrelina, ishte më i kontrolluar te personat që ushqeheshin sipas një orari të caktuar, ndërsa dëshira për ushqim rritej më shumë në orët e vona të mbrëmjes para gjumit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo mënyrë ushqyerjeje nuk është e përshtatshme për të gjithë. Personat që merren intensivisht me sport, ata me diabet, gratë shtatzëna apo personat me histori të çrregullimeve të ushqyerjes duhet të konsultohen me specialistë përpara se të ndryshojnë regjimin e tyre.
Mjekët këshillojnë që mëngjesi të mos anashkalohet dhe që çdo ndryshim në dietë të bëhet me kujdes, sidomos nëse shfaqen simptoma si marramendje, ulje të sheqerit në gjak apo tension të ulët.
Flaka
















