Gjumi i dobët mund të rrisë stresin emocional deri në 30 për qind
Mungesa e gjumit mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si truri përpunon emocionet, duke rritur ndjeshëm nivelet e ankthit dhe stresit emocional, tregojnë kërkimet e shkencëtarëve të Universitetit të Kalifornisë, Berkeley.
Studimi, i publikuar në revistën Nature Human Behaviour, përdori skanime të trurit dhe analiza të gjumit për të vëzhguar reagimet e pjesëmarrësve pas një nate me gjumë normal dhe pas mungesës së gjumit.
Studiuesit vunë re se pas një nate pa gjumë, aktiviteti i korteksit parafrontal medial, i cili ndihmon në kontrollin e reagimeve emocionale, dobësohej, ndërsa zonat emocionale të trurit, përfshirë amigdalën, bëheshin më aktive.
Në një pjesë tjetër të hulumtimit, studiuesit gjetën se mungesa e gjumit mund të shoqërohej me një rritje deri në 30 për qind të nivelit të ankthit ditën pasuese.
Përveç ndikimit në gjendjen emocionale, gjumi i pamjaftueshëm mund të shoqërohet edhe me lodhje, vështirësi në përqendrim dhe probleme me kujtesën.
Flaka










