Këto janë ushqimet që hidratojnë më mirë trupin gjatë ditëve të nxehta të verës
Temperaturat e larta të verës rrisin nevojën e organizmit për hidratim, ndërsa ekspertët theksojnë se, përveç konsumit të mjaftueshëm të ujit, edhe ushqimet e pasura me ujë luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve në trup.
Frutat dhe perimet me përmbajtje të lartë uji ndihmojnë në kompensimin e lëngjeve të humbura përmes djersitjes, duke furnizuar njëkohësisht organizmin me vitamina, minerale dhe antioksidantë të nevojshëm për funksionimin normal.
Në mesin e ushqimeve më të rekomanduara janë kastravecat dhe domatet, të cilat përmbajnë mbi 90 për qind ujë. Po ashtu, shalqiri, pjepri, luleshtrydhet, grejpfruti, pjeshkët, boronicat, ananasi dhe mjedrat konsiderohen zgjedhje ideale për ditët e nxehta.
Shalqiri mbetet një nga frutat më të preferuara të verës falë përmbajtjes së lartë të ujit dhe efektit freskues, ndërsa luleshtrydhet dhe grejpfruti ofrojnë një kombinim të shkëlqyer të hidratimit me vitamina dhe antioksidantë. Nga ana tjetër, pjepri, pjeshkët, ananasi dhe mjedrat ndihmojnë në ruajtjen e energjisë dhe ofrojnë lëndë ushqyese të vlefshme për organizmin.
Specialistët theksojnë se konsumimi i rregullt i këtyre ushqimeve e ndihmon trupin të përballojë më lehtë temperaturat e larta dhe të ulë rrezikun e dehidratimit. Megjithatë, ata kujtojnë se frutat dhe perimet nuk mund ta zëvendësojnë ujin, por janë një plotësues i rëndësishëm i një regjimi të shëndetshëm ushqimor gjatë sezonit të verës.
Flaka
















