Zelanda e Re drejt një vendi pa duhanxhinj, plan i ri për ndalimin e cigareve
Zelanda e Re ka prezantuar një seri propozimesh të reja që synojnë ta bëjnë duhanin të paligjshëm për gjeneratat e ardhshme dhe ta ndihmojnë vendin të arrijë objektivin për t’u bërë shtet pa duhanpirës.
Plani parashikon rritjen graduale të moshës ligjore për konsumimin e duhanit, ndërsa një nga masat më të diskutuara është ndalimi i shitjes së cigareve dhe produkteve të duhanit për personat e lindur pas vitit 2004.
Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu uljen e nivelit të nikotinës në produktet e duhanit, ndalimin e filtrave, vendosjen e një çmimi minimal për duhanin dhe kufizimin e pikave ku mund të shiten cigaret.
Ministrja e asociuar e Shëndetësisë, Ayesha Verrall, ka deklaruar se nevojitet një qasje e re, duke theksuar se mijëra qytetarë humbin jetën çdo vit si pasojë e konsumimit të duhanit.
Propozimet janë përshëndetur nga organizatat e shëndetit publik, të cilat i kanë cilësuar si një hap të rëndësishëm në luftën kundër pirjes së duhanit.
Megjithatë, plani ka hasur edhe në kritika, kryesisht për ndikimin e mundshëm te bizneset e vogla dhe rrezikun e rritjes së tregut të zi të produkteve të duhanit.
Zelanda e Re synon që këto masa ta afrojnë drejt një të ardhmeje ku pirja e duhanit të jetë pothuajse e zhdukur nga shoqëria.
Flaka










