Operacioni “Filter” trondit rrjetin e kontrabandës së cigareve: 13 të arrestuar, kontrolle në mbi 20 lokacione
Një aksion i gjerë kundër kontrabandës së organizuar të cigareve është zhvilluar mëngjesin e sotëm në disa qytete të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të operacionit të koduar “Filter”. Deri tani, sipas informacioneve fillestare, janë arrestuar 13 persona.
Operacioni synon zbërthimin dhe shkatërrimin e një sistemi të organizuar dhe kompleks të kontrabandës së cigareve, në të cilin dyshohet se janë përfshirë kompani të shpedicionit, transportit dhe importit, persona fizikë, por edhe pjesëtarë të strukturave policore dhe doganore.
Aksioni po zhvillohet nga Drejtoria e Doganave, përmes Sektorit për Kontroll dhe Hetime dhe Njësisë për Hetime, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Byronë për Siguri Publike dhe Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Hetimi, i zhvilluar për një periudhë më të gjatë në koordinim me prokurorin kompetent publik, ka nxjerrë në pah disa raste të dyshuara të kontrabandës së organizuar të sasive të mëdha të cigareve, si dhe shmangie të pagesës së detyrimeve doganore dhe tatimore që, sipas të dhënave fillestare, kapin vlerën e disa milionë eurove.
Kontrolle në gjashtë qytete
Në kuadër të operacionit “Filter”, autoritetet po kryejnë kontrolle në më shumë se 20 lokacione në territorin e Gevgelisë, Vallandovës, Strumicës, Dojranit, Velesit dhe Shkupit.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se aksioni është ende në zhvillim, ndërsa priten informacione shtesë për personat e përfshirë, rolet e tyre dhe materialet e sekuestruara gjatë kontrolleve.
Drejtoria e Doganave pritet të publikojë gjatë ditës më shumë detaje për operacionin “Filter”, përfshirë rezultatet e kontrolleve dhe veprimet e mëtejshme ndaj personave të dyshuar.
Hetimi dhe procedurat penale janë në vazhdim, ndërsa përgjegjësia individuale e personave të arrestuar do të përcaktohet nga organet kompetente. Gazeta Flaka










