Ushtarët profesionistë protestojnë para Qeverisë, kërkojnë zgjidhje për statusin dhe rritje pagash
Ushtarët profesionistë kanë protestuar para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar zgjidhje urgjente për problemet e tyre të akumuluara ndër vite. Protestuesit thonë se durimi u ka sosur dhe se nuk mund të heshtin më përballë asaj që e cilësojnë si trajtim të padrejtë dhe diskriminues nga institucionet.
Në mesin e kërkesave kryesore është rregullimi ligjor dhe i përhershëm i statusit të ushtarëve profesionistë, veçanërisht i atyre që kanë mbushur moshën 45-vjeçare. Ata kërkojnë gjithashtu rritje të pagave dhe kompensim financiar për ish-pjesëtarët e Armatës.
Aleksandar Naskovski nga Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë deklaroi se kjo kategori punonjësish përballet me diskriminim, pasi nuk përfiton nga dispozita e Ligjit për Marrëdhënie Pune, e cila parasheh transformimin e marrëdhënies së punës në kohë të pacaktuar pas pesë vitesh.
“Ushtarët profesionistë janë punëtorët më të diskriminuar në Republikën e Maqedonisë, për të cilët nuk vlen transformimi i marrëdhënies së punës në kohë të pacaktuar pas vitit të pestë, ashtu siç parasheh Ligji për Marrëdhënie Pune. Ky diskriminim është konfirmuar edhe nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili në korrik të vitit 2025 ka dhënë mendim se të gjithë ushtarët profesionistë diskriminohen për shkak të marrëdhënies së pabarabartë të punës”, deklaroi Naskovski.
Protestës iu bashkua edhe Trupi Koordinues i ish-pjesëtarëve të pensionuar të Armatës, të cilët paraqitën kërkesat e tyre, duke rikujtuar premtimet e mëparshme të institucioneve që, sipas tyre, kanë mbetur të parealizuara.
Vidan Kiprijanovski nga ky trup koordinues kërkoi formimin e një komisioni të përbashkët qeveritar, i cili do të trajtonte çështjen e kompensimit financiar për ish-pjesëtarët e Armatës.
“Duhet të formohet një komision i përbashkët nga Qeveria, ashtu siç premtoi ministri se personalisht do t’i drejtohet kryeministrit dhe do të kërkojë konsultime me të, në mënyrë që të zgjidhet ky problem. Bëhet fjalë për një pagesë të njëhershme për këta njerëz, si kompensim për 40 vitet e stazhit që ia kemi kushtuar këtij shteti dhe kontributit tonë në ndërtimin e tij”, deklaroi Kiprijanovski.
Përfaqësuesit e ushtarëve profesionistë paralajmëruan se, nëse institucionet vazhdojnë të mos u përgjigjen kërkesave të tyre, protestat mund të marrin forma më të ashpra.
Protestuesit presin që shumica parlamentare të ndërmarrë iniciativë për ndryshimet e nevojshme ligjore në Kuvend, duke theksuar se koalicioni qeverisës i ka votat e mjaftueshme për të miratuar një zgjidhje. Gazeta Flaka










