ZNAM kërcënon me largim nga Qeveria, VLEN sfidon: Kush është më i forti?
Debati për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka shkaktuar një përplasje të re politike mes partnerëve të koalicionit qeveritar, ZNAM-it dhe VLEN-it. Lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, ka paralajmëruar mundësinë e largimit nga Qeveria nëse miratohet vendimi që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa nga VLEN-i vijnë mesazhe se kundërshtimet e kësaj partie nuk do ta pengojnë realizimin e kësaj të drejte.
Në një intervistë për TV Sitel, Dimitrievski ka përsëritur qëndrimin se ZNAM nuk pranon që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Ai ka bërë të ditur se në takimin e ardhshëm me kryeministrin Hristijan Mickoski do të kërkojë një takim të liderëve të koalicionit, për të diskutuar hapur këtë çështje.
“Në takimin e ardhshëm me kryeministrin do të kërkoj një takim të liderëve, sepse ne asnjëherë nuk kemi diskutuar hapur për këtë çështje me partnerët tanë në Qeveri, në mënyrë që të përcaktojmë të gjitha vijat e kuqe dhe çfarë do të nënkuptojë kjo në të ardhmen për shtetin dhe për të gjithë sistemin tonë të drejtësisë”, deklaroi Dimitrievski.
Ai pretendoi se kërkesat për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë fushë lidhen me çështje më të gjera politike dhe me të ardhmen e rregullimit shtetëror, duke përmendur edhe mundësinë e shndërrimit të vendit në konfederatë.
Nga ana tjetër, deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të ZNAM-it, duke theksuar se qëndrimet e kësaj partie nuk do të përcaktojnë nëse shqiptarët do ta realizojnë të drejtën për dhënien e provimit në gjuhën e tyre.
Azizi ka rikujtuar edhe rastin e shkarkimit të ministrit Filkov, duke theksuar se edhe atëherë nga ZNAM-i ishin shprehur kundër një zhvillimi të tillë, por në fund situata kishte marrë drejtim tjetër.
“Për të drejtat e shqiptarëve pyetet VLEN-i e jo ZNAM-i”, ka shkruar Azizi në rrjetet sociale.
Ai ka kritikuar gjithashtu retorikën e përfaqësuesve të ZNAM-it, duke vlerësuar se deklaratat e tyre nuk do ta ndryshojnë rrjedhën e procesit.
Ndërkohë, studentët shqiptarë prej dy vitesh kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Në takimin e fundit me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, të mbajtur muajin e kaluar, ishte diskutuar një propozim që 12 provime të mbahen në shqip dhe dy në maqedonisht. Gjithashtu, ishte përmendur mundësia e përfshirjes së gjuhës angleze dhe turke.
Propozimi ishte paraparë t’i dërgohej fillimisht Komisionit të Venedikut për mendim, por studentët nuk ishin shprehur të kënaqur me zgjidhjen e propozuar.
Përplasja e fundit tashmë ka ngritur një dilemë brenda shumicës parlamentare: A do të mbizotërojë qëndrimi i ZNAM-it, me rrezikun e largimit nga Qeveria, apo VLEN-i do të arrijë ta çojë përpara kërkesën për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe?
Çështja pritet të jetë një nga testet e radhës për raportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar. Gazeta Flaka

Fotografia është realizuar në formën e karikaturësdhe paraqet një ilustrim simbolik të përplasjes politike mes ZNAM-it dhe VLEN-it lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Skena e ringut dhe paraqitja e personazheve si boksierë simbolizojnë rivalitetin politik, qëndrimet e kundërta dhe garën për ndikim brenda koalicionit qeveritar.
Fotografia është ilustrim artistik, jo ngjarje reale.










