Vogëlushi 17-muajsh shpëton pas një aksidenti, çelësi i makinës i depërtoi deri në tru
Ngjarja e rëndë ndodhi në shtetin amerikan të Kentakit. Çelësi i makinës depërtoi përmes zonës së syrit dhe hyri thellë në kafkë, por pas një ndërhyrjeje të ndërlikuar kirurgjikale, vogëlushi u rikuperua pa dëmtime të përhershme neurologjike.
Një aksident i pazakontë në shtetin amerikan të Kentakit për pak sa nuk përfundoi në tragjedi, pasi një vogëlushi 17-muajsh iu ngul një çelës makine në kokë gjatë një rrëzimi aksidental.
Fëmija, i identifikuar si Nikolas Holderman, u rrëzua mbi një çelës automjeti, i cili depërtoi në zonën e qepallës, kaloi përmes zgavrës së syrit dhe përfundoi thellë brenda kafkës, duke arritur deri në tru.
Ekzaminimet radiologjike zbuluan përmasat e dëmtimit dhe shkaktuan shqetësim te mjekët, të cilët fillimisht kishin frikë se syri i vogëlushit mund të kishte pësuar dëmtime të rënda.
Pas ekzaminimeve shtesë dhe konsultimeve me specialistë, u konstatua se, megjithëse kishte depërtuar thellë, objekti metalik kishte shmangur enët kryesore të gjakut, nervat dhe strukturat më të rëndësishme të trurit.
Ndërhyrja kirurgjikale shpëtoi vogëlushin
Ekipi kirurgjikal realizoi një ndërhyrje komplekse, gjatë së cilës arriti ta nxirrte me kujdes çelësin nga koka e fëmijës.
Ajo që i habiti veçanërisht mjekët ishte fakti se vogëlushi nuk kishte pësuar dëmtime të përhershme neurologjike, pavarësisht natyrës jashtëzakonisht serioze të lëndimit.
Sipas informacioneve të publikuara, pak më shumë se dy muaj pas aksidentit, Nikolas ishte rikuperuar plotësisht.
Rasti i tij konsiderohet një shembull i rrallë i trajtimit me sukses të një dëmtimi shumë të rëndë të kokës, i cili mund të kishte pasoja fatale.
Ndërhyrja e shpejtë mjekësore dhe fakti që objekti nuk kishte dëmtuar strukturat jetike të trurit ishin vendimtare për rikuperimin e fëmijës pa pasoja të përhershme. Gazeta Flaka










